Në emisionin “Stay Tunned”, anëtari i Kryesisë së PD-së, Kreshnik Çollaku, ndau me gazetaren Valbona Mhilli një histori personale. Ai rrëfeu marrëdhënien e ngushtë me të atin, emrin e të cilit mban gjimnazi i qytetit të Klosit.
“Sa herë kaloj dhe shoh emrin Shaban Çollaku aty dhe mallëngjehem. Shoh të rinj gjimnazistë që kanë bërë grupe në rrjetet sociale me emrin e shkollës dhe më duket sikur janë familja ime. E kam një moment shumë të prekshëm në jetën time. Është ndër arsyet e forta që më mban të lidhur me Matin. Im atë ka bërë aq sa ka mundur për atë zonë. Në derën e shtëpisë tonë vinin njerëz që kishin halle”, tha ai.
Çollaku rrëfeu momentet e fundit të jetës së të atit dhe lidhjen e fortë të tij me komunitetin e Matit.
“Dy ditë para se im atë të ndërronte jetë, një burrë ne moshë erdhi në shtëpinë tonë. Im atë ishte në orët e fundit të jetës. Ai burrë kishte një tapi të vjetër toke në turqishten e vjetër për ta përkthyer. Im atë i dha fjalën se do ta përkthente. Ia përfundoi dhe pas dy ditësh ndërroi jetë. Unë e kam njëfarë amaneti për ta vazhduar këtë lloj përkushtimi”, tha ai.



