
Drejtori ekzekutiv i Akademisë së Studimeve Politike Erjon Tase foli në “MCN Economy” mbi dëmet miliarda dollarë që i shkaktohen çdo ditë buxhetit të shtetit, si pasojë e largimeve të padrejta nga puna. Teksa u ndal te projektligji i ri i propozuar, Tase tha se ministrat dhe nëpunësit duhet të mbajnë përgjegjësi personale, duke vënë në dukje rëndësinë që nisma të gjejë mbështetje në Kushtetutë. Vetëm gjatë vitit 2019 dëmi i shkaktuar në buxhet ka qenë 28 miliardë.
“Është iniciativë ligjore që meriton vëmendje. Duhet ta pranojmë që ekziston një problem, kemi fatura të fryra të proceseve gjyqësore për largimet nga puna. Ky është një shqetësim që meriton vëmendje. Sa më shumë kalon koha aq më shumë rëndohet fatura. Një papërgjegjshmëri e drejtuesit të institucionit, prek jo vetëm atë punonjës por edhe taksat tona si qytetarë. Projektligji besoj do krijojë një mundësi që të përmirësojë përgjegjësinë e nëpunësve për vendimet që sjellin dëm ekonomik. Ata drejtues janë larguar nga puna dhe faji mbetet gjithmonë jetim. Shpresoj që nisma të gjej mbështetje në Kushtetutë. Ne kemi bërë një studim se si mund të jetë një ndëshkim, dhe vështirësia ka qenë gjithmonë të mbështetet në ligj. Shpresoj të ketë konsultimet e duhura. Përgjegjësia e nëpunësve është e parashikuar në nenin 44. Tashmë kemi edhe Gjykatë Administrative, që një drejtor, ministër të mbajë përgjegjësi personale, të mos mbrohet institucionalisht”.
Tase shtoi se:
Vitet e fundit kemi dëgjuar për raste të të larguarve nga administrata dakordësohen me drejtuesin që të mos vazhdojnë të punojnë dhe të marrin pagën. Këto janë raste papërgjegjshmërie. Ai borxhi do të vazhdojë të rritet. Dënimi me burg nuk sjell ulje të dëmit, por shtim të përgjegjësisë për pasardhësit. Nëpunësit nuk duhet të pranojnë çdo urdhër që u vjen nga ministrat. Të mos firmosin çdo letër që u del përpara.



