Lufta në Ukrainë/ Koreja e Veriut dërgon 3000 trupa shtesë në Rusi
Koreja e Veriut ka vendosur 3 mijë trupa shtesë në Rusi këtë vit, përveç mijërave të dërguar tashmë për të mbështetur pushtimin e Rusisë në Ukrainë.
Kështu tha të enjten ushtria e Koresë së Jugut, duke shtuar se Pheniani ka vijuar të furnizojë Moskën me raketa, artileri dhe municione.
" Rreth 3,000 trupa shtesë u dërguan si përforcime midis janarit dhe shkurtit", tha Shefi i Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut, duke shtuar se 4,000 trupa të Koresë së Veriut janë vrarë dhe plagosur.
Rusia dhe Koreja e Veriut, aleatë tradicionalë, janë afruar më shumë që nga pushtimi i Ukrainës nga Moska në vitin 2022. As Moska e as Pheniani nuk e kanë konfirmuar apo mohuar praninë e trupave të Koresë së Veriut në Rusi deri më sot.
Megjithatë, të dy vendet përfunduan një traktat sigurie dhe mbrojtjeje në qershor 2024, gjatë një vizite të presidentit rus Vladimir Putin në Korenë e Veriut.



