Pas ngjarjes së rëndë të ndodhur orë më parë në Kavajë, ku tre persona kanë mbetur të plagosur me armë zjarri, Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Arben Ristani ka vizituar në ambientet spitalore Kid Kazazin. Ky i fundit është aktualisht dhe kreu i FRPD për qytetin e Kavajës.
Ristani, pasi e lidhi incidentin e dhunës me shkaqe politike, i bëri thirrje institucioneve të ndalin vrullin e frikshëm dhe gjakun që sipas tij po derdhet në të gjithë vendin nga kryeministri Rama dhe njerëz të tij.
“Ajo që është e dhimbshme është historia e kësaj partie dhe demokracie shqiptare që kaloi nga gjaku i Josif Budës dhe tani kërkon edhe gjakun e Kid Kazazit. Ngjarja është e dhimbshme dhe ajo që ne mund të theksojmë është që Rama duhet të tërheqë menjëherë kriminelët e tij të tipit Armando Prenga të cilët po skuqin Shqipërinë nga veriu në jug. Duhet t’i tërheqë patjetër ndryshe shqiptarët dhe Partia Demokratike janë në kushtet e vetëmbrotjes dhe duhet të marrin të gjitha masat për tiu përgjigjur bandës në pushtet me të gjitha mjetet e mundshme për t’u ruajtur e për tu vetëmbrojtur”- deklaroi gjatë vizitës Ristani.
Sipas raportimeve për shkak të një sherri banal, për arsye politike, situata ka degjeneruar në plagosjen me armë zjarri të tre personave. Mësohet se autori i plagosjes është Saimir Kurti, ish Drejtor i Zyrës së Punës Kavajë, i cili dha dorëheqjen pas akuzave të PD-së se Kurti ka qënë i shpallur në kërkim ndërkombëtar për kontrabandë.
Saimir Kurti ka patur një debat të ashpër me Eqrem Kazazain, 48 vjeç, i cili rezulton të jetë babai i kreut të FRPD-së në këtë qytet, dhe gjithashtu i njohur për policinë, pasi rezulton me precedentë të mëparshëm penal. Pas konfliktit për motive banale, Eqerem Kazazi dhe Kid Kazazi kanë ushtruar dhunë fizike ndaj Kurtit. Ndërsa ky i fundit ka marrë armën dhe më pas ka qëlluar ndaj Kazazit, duke plagosur edhe dy persona të tjerë, Kid Kazazin, 21 - vjeçar, dhe Dritan Xhixhon 46 - vjeçar.



