Opozita parlamentare kërkon uljen e pragut zgjedhor nga 5 për qind që e kërkuan në fillim, në 2 për qind.
Gjatë mbledhjes në Komisionin e Ligjeve, deputeti Korab Lita propozoi që në pikën 2 të nenit të parë, të bëhet ndryshimi “jo më pak se 2% të votave të vlefshme”.
“Pragu 5% dhe ndalimi i koalicioneve ngushtojnë hendekun, ndërsa pragu 2% e plotëson nevojën e shfaqur", tha ai.
Kërkesa e Litës është mbështetur edhe nga kryetari i grupit demokrat, Myslym Murrizi, si dhe nga Rudina Hajdari. Sipas saj, ulja e pragut do ishte më e drejtë dhe do të krijonte më tepër konkurrencë.
Por anëtarët socialistë janë përgjigjur se ky prag është i ulët, megjithatë u vendos që të diskutohet në mbledhjen që do të mbahet në orën 18:00.
Diskutimet u bënë gjatë mbledhjes së Komisionit te Ligjeve dhe Këshillit të Legjislacionit, ku po diskutohen nen për nen ndryshimet në Kushtetutë që kërkuan një grup deputetësh të opozitës parlamentare për hapjen e listave dhe ndalimin e koalicioneve.



