
Demokratët e mbledhur rreth Komisionit të Rithemelimit po zhvillojnë sot mbledhjen e Këshillit Kombëtar. Sali Berisha u shfaq për herë të parë pas dy javësh pa syzet e errët me të cilat mbulonte pasojat e sulmit fizik gjatë protestës së 6 dhjetorit. Gjatë fjalës së tij, ai u ndal te zgjedhja e kreut të SPAK, Altin Dumani, të cilën e cilësoi një përplasje të ashpër mes klaneve mafioze. Berisha tha se në proces pati edhe ndërhyrje nga ambasadorja amerikane, Yuri Kim.
Po të shihni ju çfarë ndodhi me zgjedhjen e kreut të SKAP-it. Në pamje të parë, beteja e parë ishte mes Ramës dhe guvernatores që do hyjë në histori politike të një vendi, një nga betejat më të turpshme. Një proces i cili duhet të kalonte në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën jashtë të gjitha ndërhyrjeve. Në shumicë, menduan se guvernatorja Kim fitoi betejën. Në fakt nuk është se nuk u përzie guvernatorja, por beteja ishte mes klaneve më mafioze socialiste. Ato numra dhe vota kishin mbrapa tyre Edi Ramën në njërën anë, Ulsi Manjën dhe Erion Veliajn në krahun tjetër. Ajo që shqiptarët panë, ishte vetëm perdja se prapa perdes ishte beteja më e ashpër e zhvilluar mes klaneve mafioze të një pushtetit.



