Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo tha në edicionin e lajmeve në MCN TV se ofensiva e jashtëzakonshme e Presidentit amerikan Donald Trump "ka krijuar një ndjenjë alarmi se çfarë do të bëhet me Europën".
Sipas Milos Europa "duhet të reflektojë thellë dhe të mbajë një qëndrim zyrtar" në raport me Uashingtonin.
Milo vë në dukje se asnjëherë në historinë e raporteve SHBA-BE, nuk ishte vënë në dyshim aleanca transatlantike dhe koordinimi për çështje madhore.
I pyetur a ndani të njëjtin mendim me Presidentin e Italisë Matarella se “Europa është nën udhëkryq”, Milo tha:
“Absolutisht po, jo vetëm se është Presidenti i nderuar i Italisë fqinje dhe mike, por është personalitet i shquar. E lexova gjithë tekstin e fjalimit dhe kishte mesazhe shumë të rëndësishme dhe aktuale, me të cilat s’ka se si të mos jesh dakord.
Ajo çfarë tha Presidenti Matarella duhet të mbahet shënim veçanërisht nga qeveritë e BE-së, që pavarësisht se kanë reaguar deri më tani në mënyrë individuale, është e nevojshme që BE, përballë kësaj ofensive të jashtëzakonshme të Presidentit të ri të SHB-ve, të mblidhen dhe të mbajnë një qëndrim zyrtar.Është e domosdoshme që Europa të reflektojë thellë dhe shpejtë, dhe të mbajë një qëndrim, sepse ka shkaktuar një ndjenjë alarmi se çfarë do të bëhet me Europën. Prandaj Presidenti Matarella tha që Europa është në udhëkryq.
Asnjëherë më parë s’është vënë në dyshim aleanca Transatlantike dhe koordinimi për çështje madhore. Për herë të parë ndodh që SHBA-të i drejtohen Europës në mënyrë përçmuese, duke vënë në dyshim vlerat e mëdha transatlantike, demokratike, që kanë shkaktuar një kaos në Europë. PresidentiTrump kërkon të vendosë raporte vartësie direkte duke mos respektuar parimin bazë në marrëdhëniet ndërkombëtare, që është respekti për sovranitetin e tjetrit. Gjermania dhe Franca ndonëse kanë folur, nuk kanë folur me zë shumë të fortë. Është sfidë shumë e madhe çfarë do bëhet me Europën.
Presidenti Trump për nga natyra është dinamik, i paparashikueshëm, politikan dhe njeri atipik, dhe për nga mënyra se si rinxori në treg idetë e tij s’ka pse të habitemi, por më bën përshtypje thellësia e ideve të tij, për të shkuar në disa objektiva që s’janë artikuluar më parë kaq qartë dhe hapur. Është një kapërcim i politikave tradicionale në raport me gjithë botën. Nëse këto deklarata do materializohen, do shkojnë drejt rishikimit të themeleve të rendit ndërkombëtar. Ka një rritje të nacionalizmit ekstrem në Europë, që duket në rritjen e partive nacionaliste të djathta”.



