
Deputetja demokrate Ilda Dhori thotë se vendimi i 3 marsit, nuk bëri asgjë më shumë veçse e shtoi çarjen në Partinë Demokratike, ndoshta më thellë nga sa ishte më parë.
Në një lidhje për MCN Live, ajo deklaroi se vendimi i 3 marsit e ka shtuar akoma më shumë retorikën ndaj grupeve.
Edhe pse pala fituese thotë hajdeni tek ne dhe ka tone më të ulëta, ndërsa pala tjetër e ka shtuar retorikën. Nuk e konsideroj veten pjesë të ndonjë grupi, por vetëm deputete të PD.
Nuk jam te PD e vilës, por te PD e bashkuar. Jam te ajo parti që duhet të ketë dhe vulën dhe anëtarësinë. Nuk e konsideroj veten pjesë të asnjë grupi.
Që kur çështja shkoi në gjykatë, e kam thënë se nuk e shoh zgjidhjen me vendimin e gjykatës, nuk është çështje vule apo gjykate.
Vendimi i 3 marsit nuk zgjidhi asgjë, përveçse fraksionoi dukshëm të dy grupet të cilët do të garojnë të ndarë në zgjedhje. Akti konkret është të ulen të bisedojnë dhe të marrin vendime konkrete në të mirë të demokratëve.
Dhori u shpreh e distancuar në situatën e ndarjes së Partisë Demokratike dhe nënvizoi se ka kolegë demokratë që e duan me sinqeritet bashkimin, por se personalisht nuk ka pasur asnjë kontakt nga Enkelejd Alibeaj, duke qenë e distancuar nga të dy kampet, për sa kohë nuk sheh sinjale bashkimi.
Sipas saj, Partia Demokratike është anëtarësia dhe zona që ajo përfaqëson Divjaka, mbështet një kandidat.
E pyetur nëse e shqetëson një koalicion i pjesës së Sali Berishës me Partinë e Lirisë, deklaroi se në kushtet kur është një nga mundësitë alternative që i ka mbetur këtij grupimi, nuk mund ta gjykojë një vendim që është marrë disa struktura, pjesë e të cilave nuk është.
Deputetja demokrate e cilësoi situatën konfuze dhe se askush nuk mund të ketë një perspektivë të qartë, por shtoi se Edi Rama ka gisht në zvarritjen e procesit gjyqësor dhe se gjykata e ka shkelur me të dy këmbët dhënien e një zgjidhje.
Sipas saj, çdo opsion që do të çonte në bashkimin e PD, do të ishte i pranueshëm.
Nuk e shoh se Alibeaj do të marrë shumicën e votës së anëtarësisë. Edhe tërheqja e zotit Berisha nëse do i shërbente unifikimit të PD, do të ishte një opsion i pranueshëm.
Dalja me dy kandidatë atje ku do të ndodhë, do e dëmtojë më tej PD.



