Eksperti i ekonomisë Zef Preçi, për përplasjet për aeroportin e Vlorës dhe vonesën e punimeve, e sheh të lidhur me interesa shtetërore, duke shprehur bindjen se gara për aeroportin ishte formale.
Nga studio e “MCN Economy” ai deklaroi se investimet e kësaj natyre dhe debatet që lindin nxjerrin në pah problematikën e institucioneve të dobëta të vendit, por edhe interesat shtetërore që fshihen pas.
Ka një tendencë në vendet e korruptuara ku ndërmerren investime publike jo aq për nevoja të vendit se sa për interesa klienteliste.
Në këtë rast u ofrua një kompani e njohur turke për ndërtimin e porteve dhe aeroporteve, që aksionet e veta i shiti për 4 mijë euro dhe u tërhoq.
Për të kuptuar se ishte një fasadë u duk pasi investimi u vijua me një kompani nga Kosova, që nuk kishin asnjë eksperiencë në këtë punë, përveç faktit që ishin të zotët të lobonin pranë qeverisë. Apo dhe përplasja e aksionerëve të dy me origjinë nga Kosova.
E gjitha kjo është një farsë që krijoi një mundësi që një kompani nga Kosova të futej në tregun shqiptar, duke përdorur një kompani turke, e cila më tej u tërhoq. Më tej ndodh një sherr mes aksionerëve de fakto.
Por në fakt ka interesa të politikanëve shqiptarë dhe interesa shtetërore që ndërhyjnë në situatën e krijuar. Nuk është e mirë, e para vjen nga devijimi i fituesit të parë dhe humbje në kohë. Është drejt përfundimit por mund të ketë probleme me funksionimin.
Përgjithësisht ndodh që janë mbartës të aksioneve të fshehta të zyrtarëve të lartë, kështu ka ndodhur dhe me inceneratorët.
Në rastin konkret qeveria shqiptare iu detyrohet taksapaguesve një shpjegim transparent se si kompania fituese doli nga tregu dhe si u futën në lojë dy aksionerët e tjerë. Ndryshe do vijojnë të fshihen ca politikanë shqiptarë, ca me emër, ca pa emër.
Ndryshe do ketë krijim të parave të lehta. Gara për aeroportin e Vlorës ishte formale dhe kontrata ishte favorizuese dhe klienteliste.
Po të vazhdohej me kompaninë turke, që ka dhe eksperiencë në botë, rritej garancia. Është kompetencë e qeverisë që ka ndryshuar zbatuesin që të ndjekë zbatimin e kontratës.



