Ministri i Jashtëm hungarez Peter Szijjarto ka bërë thirrje për ndalimin e të gjithë ndihmës ushtarake perëndimore për Ukrainën, duke thënë se fluksi masiv i armëve si dhe hezitimi i Kievit për të negociuar e ka bërë paqen të pamundur.
I pyetur se çfarë duhet bërë për të arritur një armëpushim në Ukrainë në një intervistë për median austriake "Exxpress", Szijjarto tha se përfundimi i dërgesave të huaja të armëve në Kiev është një përparësi kryesore.
“Sa më shumë armë të furnizohen, aq më shumë zgjat lufta. Dhe sa më gjatë të zgjasë lufta, aq më shumë njerëz do të vdesin”, vazhdoi ministri. “Është e qartë se ajo që është bërë deri më tani nuk ka qenë e suksesshme. U dorëzuan shumë armë, por lufta vetëm u zgjat. Shumë para i janë paguar Ukrainës, por shkatërrimi i Ukrainës vazhdon”, u shpreh ai.
I pyetur mbi mundësinë që trupat ruse të "marshojnë deri në Kiev" në rast se Ukraina mbetet "e pambrojtur", diplomati tha se kjo mund të shmanget vetëm me negociata dhe një proces të rinovuar paqeje.
“Kjo duhet të parandalohet duke i dhënë fund luftës tani. Për sa kohë që kjo nuk ndodh, lufta kërcënon të intensifikohet më tej dhe më shumë njerëz rrezikojnë të vdesin. Lufta duhet të kishte përfunduar dje”, tha ai.



