Instituti i Historisë ka publikuar botimin special me pesë vëllime “Historia e shqiptarëve gjatë shekullit XX”, me autor dhe redaktor përgjegjës akademikun Beqir Meta. I pyetur në edicionin e lajmeve për risitë akademiku vuri në dukje se ka pikëpamje të reja për shumë çështje. Ai thekson se është trajtuar fenomeni i “luftës civile” dhe palët janë parë në mënyrë kritike dhe objektive. Po ashtu Meta vë në dukje se ndryshimet më të mëdha janë në vëllimin që trajton vitet 1920-1924, që sipas tij janë më të prekurat nga ideologjia. Akademiku tha se politika e jashtme e Zogut është rivlerësuar si “real politike e diktuar nga rrethanat e kohës”.
I pyetur se cila është vlera e këtij botimi dhe çfarë të rejash sjell ai?
Ky botim ka një sërë arritjesh, vlera kryesore është pasqyron sintezën e gjithë studimeve të reja dhe të vjetra, të autorëve shqiptarë e të huaj, mbi historinë tonë kombëtare. Bazohet në arkiva të huaja, europiane dhe më tej, që janë marrë për herë të parë në formën dixhitale në trajtën e plotë. Janë marrë arkiva të plota nga Italia, britanike, amerikane dhe franceze. Janë marrë të gjitha koleksionet mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Janë prurje, informacione, që vijnë për herë të parë pjesa më e madhe. Vlera kryesore e botimit është që është sintetizues, që është i verfikueshëm përmes referencave të plota burimore. Ka pikëpamje të reja për shumë çështje. Mund të them disa. Një rëndësi të veçantë ka rishikimi i politikave të qeverisë së Vlorës, është dhënë procesi i deosmanizmit që fillon me qeverinë e Vlorës por mbetet në hapat e para, raportet mes Perandorisë Osmane me qeverinë e Vlorës, betejat për Shkodrën dhe Janinën, qëndrimi i shqiptarëve në këto raste, dhe Konferenca e Londrës ka risi në mënyrën si është analizuar politika e Austro-Hungarisë, Britanisë dhe Italisë. Ka ndryshim nga analizat e mëparshme, duke u bazuar edhe në dokumentet e këtyre shteteve. Ka një vlerësim më tej mbi kryengritjen në Shqipërinë e mesme. Vëllimi që përmban ndryshimet më të mëdha është i dyti, që trajton vitet 1920-1924 që ka qenë shumë i prekur nga ideologjia dhe arnimet idoeologjike. Na kanë ndihmuar shumë këtu dokumentet britanike, që kanë kontrolluar gjithë procesin politik, e kanë ndihmuar Shqipërinë që të krijojë një shtet stabël. Kemi kuptuar më mirë gjendjen e institucioneve shqiptare dhe të klasës politike shqiptare. Janë trajtuar për herë të parë institucionet, forma e regjimit, që ishte vërtet demokraci, por ishte sipërfaqësore, në hapat e saj. Është rivlerësuar kryengritja e qershorit e 24-ës, qeveria e Nolit. Është vlerësuar që politika e Zogut, çfarë politike të jashtme ndoqi, është vlerësuar që ishte real politikë e diktuar nga rrethanat e kohës. Këto qasje vijnë për shkak të metodologjisë serioze dhe burimeve të reja. Janë argumentet historike që e çojnë studiuesin në një konkluzion apo një tjetër”.
Duke folur mbi punën për përgatitjen e këtij botimi voluminoz, Meta shton:
Koha ka qenë mbi 10 vjet punë. Ka pasur një ose dy vit shkëputje në 100-vjetorin e pavarësisë. Janë angazhuar një numër shumë i madh autorësh nga Shqipëria dhe Kosova. Unë them që dy cilësi na kanë lejuar të realizojmë qëllimin për një vepër unike, liria akademike dhe profesionalizmi, si dhe kërkimet serioze në fushën e historisë së Shqipërisë. Organizmi ka qenë i lehtë, sepse po respektove lirinë akademike bëhet gjithçka e lehtë”.
Ndërsa pyetet mbi temat që reflektohen në botim special, që kanë munguar nga historiografia e mëparshme akademiku thotë:
Në historiografinë e mëparshme ka shumë çështje që kanë munguar. Ka edhe çështje që janë rishikuar. Nga të munguarat ka qenë historia e religjioneve apo komuniteteve fetare. Ka munguar historia e zhvillimit shëndetësor, që është plotësuar. Historia e Letërsisë dhe mendimit shqiptar. Pjesa më e vështirë ka qenë ajo e ridimensionimit të tezave. Në vëllimin e 4, është trajtuar fenomeni i luftës civile dhe palët janë parë në mënyrë kritike dhe objektive. Është parë edhe ndikimi i faktorit të jashtëm që e shtyn Shqipërinë drejt kësaj humnere. Vëllimi i fundit trajton komunizmin. Është parë si vendoset diktatura, si agravohet, si forcohet shtypja. Për herë të parë është dhënë më e plotë rezistenca kundër regjimit komunist, grupet që rezistuan, format, është parë edhe politika e jashtme e regjimit. Ka shumë risi në raportet e tij me bllokun lindor. Kemi një risi të rëndësishme si e shihet blloku perëndimor regjimin, duke parë dokumentet e tyre”.



