
Muaji qershor pritet të jetë i nxehtë jo vetëm për nga moti, por edhe nga situatat politike që pritet ta karakterizojnë. Në qershor, Shqipëria do të mësojë nëse Bashkimi Evropian do të vendosë për të hapur negociatat e anëtarësimit për të. Po ashtu, në muajin qershor në Shqipëri do të zhvillohen zgjedhjet lokale dhe ndoshta pa pjesëmarrjen e partive kryesore të opozitës. Ndërsa këto dy ngjarje sa vijnë e afrohen, në anën tjetër vazhdon të rritet paqëndrueshmëria politike.
Partia Demokratike përmes protestave të vazhdueshme, nuk rresht së na kujtuari se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të qershorit, pa dorëheqjen e kryeministrit dhe formimin e një qeverie tranzicioni.
Mirëpo, dyshimet sa vijnë e shtohen, nëse ky betim do të jetë “i pashkelur”. Kreu i PD-së Lulzim Basha i pranishëm në një bashkëbisedim me studentët, dje foli edhe për një sistem të ri të përzgjedhjes së kandidatëve të Partisë Demokratike. Lideri demokrat deri tani ka lënë të kuptohet se opozita nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, duke kërkuar më parë zgjedhje të parakohshme përmes një qeverie kalimtare. Por, dje ai si në nën rreshta, dha sinjale se opozita po përgatitet edhe për zgjedhjet lokale, pavarësisht deklaratave.
Ai tha se do të adoptojnë një model europian, falë të cilit do t’u jepet mundësia të garojnë të gjithë ata që kanë interes të përfaqësojnë politikisht qytetarët, ndërsa shtoi se do t’u pengohet garimi kandidatëve me rekorde kriminale, apo njerëzve që, sipas tij vijnë aty me para, me qëllimin për t'i shumëfishuar ato.
“Nesër apo pasnesër ju do të shikoni vetë kur PD do të botojë online formularë të aplikimit për ata që dëshirojnë të jenë kandidatë në zgjedhjet e ardhshme në emër të PD. Do të jetë merita që do të përcaktojë se kush do të jetë ai apo jo që do të përfitojë përmes votës së lirë dhe vlerësimit transparent që do të përfaqësojë PD në një parlament të çliruar nga krimi dhe kriminelët" tha Basha.
Fakti që Partia Demokratike e nis procesin për zgjedhjen e kandidatëve në këtë moment lë shumë dyshime se opozita mund të marrë pjesë për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.



