Në territorin e qarkut Lezhë gjatë mbrëmjes së të shtunës dhe deri mëngjesin e sotëm ka patur rreth 75 mm reshje.
Në Njësitë administrative Blinisht dhe Dajç nuk raportohen problem përmbytje, por ka ndërprerje të furnizimit me energji.
Në Njësinë Administrative Zejmen është rritur shume dendësia e reshjeve. Në fushën e Treshit deri në këto momente janë të përmbytura rreth 50 hektarë. Në Spiten rreth 15 ha.
Në Njësinë Administrative Balldren deri tani raportohen rreth 200 hektarë tokë të përmbytur në njësinë administrative Balldren, ish Këneta e Torovicës. Strukturat e Mbrojtjes Civile të bashkisë janë në terren, duke ndjekur situatën.
Grupet e punës së OSHEE janë në terren për riparimin e defekteve.
Në Mirditë nuk raportohet për probleme, ndërsa ka ndërprerje të energjisë elektrike në Perlat.
Ndërkohë është hapur diga në Qafëmolle, pasi niveli i ujit në rezervuar ka arritur në nivele kritike, por pa krijuar problem deri tani. Strukturat e Mbrojtjes Civile së bashkisë janë në terren, duke ndjekur situatën.
Në këtë bashki ka problem për sa i përket Rrugës së Kombit, ku ka rrëshqitje dherash dhe gurësh gati gjatë gjithë gjatësisë, por me problematike është në zonën e Repsit.
Në bashkinë Kurbin nga verifikimet e kryera, ka rritje të prurjeve në gjithë përrenjtë dhe në rast se reshjet vijojnë me këtë intensitet, mund të dalin nga shtrati.
Raportohet për prezencë uji në lagjen Sanxhak, ndërkohë që strukturat e Mbrojtjes Civile së bashkisë janë në terren, duke ndjekur situatën.
Hidrovoret janë në gatishmëri dhe po punojnë me kapacitet të plotë. Në kuotën kritike janë Hidrovori i Tales, Balldrenit, Drojës dhe Shllinzave.
Ndërkohë ka rritje të prurjeve të lumenjve. Kuota e lumit Drin është 1.6 m, nga 2.0 m që është kuota kritike.



