Fermerët e Lushnjës kanë shprehur shqetësimin po u kalben limonat, portokallet dhe mandarinat pasi nuk po gjejnë treg për shitje. Eksperti i agrobiznesit Ilir Pilku duke folur në MCN Live vë në dukje se nuk ka orientim nga titullarët e Ministrisë Bujqësisë për fermerët, duke bërë që të ketë mbiprodhim. Pilku tha që gjëja më e rëndësishme është lidhja e fermerëve me tregjet.
Është një problematikë në Shqipëri me volumin e prodhimit në një njësi të shkurtër të kohës. Ne prodhojmë limona në një periudhë kohe kur tregu ngopet. Kemi problem me orientimin e fermerëve. Dikush duhet nga Ministria e Bujqësisë t’i informojë fermerët në lidhje me ndryshimet teknologjike që ndodhin. E njëjta gjë me rrushin, në muajin gusht kemi një mbiprodhim në një njësi të shkurtër kohe, dhe askush s’i ka informuar fermerët që duhet të respektojmë zinxhirin, që të kemi vjelje graduale. Na mbyt importi. Na mbyt limoni nga importi, sepse s’e kemi menaxhuar mirë fermën, sepse s’kemi një orientim nga titullarët e Ministrisë së Bujqësisë, e njëjta gjë është në Korçë me mollën. Duhen instrumentet e marketingut, Ministria e Bujqësisë duhet të shohë si të lidhë fermerët me tregjet. Ai portokalli me shegë vjen nga Greqia dhe Turqia, ndërkohë që kemi prodhim vendas shumë pozitiv që duhet të jetë në treg. Si të lidhim fermerët me tregjet. Këta e ka detyrim qeveria, politikbërja, ministria e Bujqësisë. Serbia ka pasur një mollë të lartë këtë vit dhe ka konkurruar mollën shqiptare. Por edhe mandarinën. Më vjen keq për fermerët që kanë agrume në Lushnjë dhe Libofshë, të cilat s’kanë aksesuar tregjet”.



