Policia e Korçës ka zbardhur vrasjen e një dite më parë, ku një grua u gjet e vdekur në banesën e saj nga personi me të cilin kishte lidhje intime.
Krimi ndodhi në lagjen nr. 1, Pogradec, e cila fillimisht u raportua si aksidentale pasi u dyshua se 52-vjeçarja kishte humbur jetën nga asfiksia gjatë djegies së banesës së saj.
Efektivët e policisë, gjatë veprimeve hetimore dhe këqyrjes së jashtme të trupit të pajetë, kanë krijuar dyshime se shkaku i humbjes së jetës së 52-vjeçares nuk ishte asfiksia, sepse në trupin e saj konstatuan dëmtime të dyshuara të shkaktuara me thikë.
Në vijim të veprimeve të thelluara hetimore, bazuar dhe në pamjet filmike, është bërë i mundur identifikimi i autorit të dyshuar të ngjarjes, shtetasit Ilirjan Selmani, 31 vjeç, banues në Pogradec, i cili dyshohet se ka patur lidhje intime me 52-vjeçaren, prej 3 vitesh.
Shtetasi I. S. dyshohet se ka vrarë me thikë, shtetasen Kozeta Teço, 52 vjeçe, i ka vënë zjarrin banesës së saj dhe është larguar nga banesa, rreth orës 05:00 të së hënës.
Në përfundim të veprimeve është arrestuar në flagrancë shtetasi Ilirjan Selmani, 31 vjeç, banues në Pogradec, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”.



