
Zgjatja e afateve të organeve të Vettingut është bërë temë për debat në nisje të seancës së sotme plenare në Kuvend.
Për kreun e grupit të PD, Enkelejd Alibeaj, i gjithë procesi i zhvilluar deri më tani është bërë në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca. Sipas tij, ndërhyrjet në Kushtetutë duhet të jenë sa më të pakta dhe të harmonizuara mes palëve.
I gjithë procesi i zhvilluar deri tani është i njëanshëm. I gjithë procesi për ndërhyrjen në Kushtetutë ka qenë i njëanshëm. Kushtetuta është akti, ku duhet të ndërhyhet sa më pak. Procedurat për të gjitha iniciativat parlamentare për ndërhyrjet në Kushtetutë duhet të jenë të harmonizuara.
Nga ana tjetër, kreu i grupit të PS, Taulant Balla, kërkoi që zgjatja e afateve të organeve të Vettingut të futet në rend dite në seancën e 10 shkurtit, ndërsa shtoi se duhet të marrë fund politizimi i kësaj çështjeje.
Ndryshimet kushtetuese janë të tilla, që afatet janë të përcaktuara me shumë rigorozitet nga ana e vet Kushtetutës. Asnjëri prej nesh në këtë sallë nuk mund t’i shmanget detyrimit që vendos rregullorja, që ndryshimet e kaluara në mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Legjislacionit, kanë një afat 14-21 ditor. Kjo hapësirë mes datës 10 shkurt dhe 17 shkurt është hapësira e vetme që ka lënë rregullorja. Unë do të ftoja kolegët e PD që të kuptojmë rëndësinë e përmbylljes së këtij procesi. Nuk është një proces që duhet politizuar apo që duhet bërë pjesë e agjendave të tjera të forcave të tjera politike në Kuvend. Zgjatja e afateve të mandatit të Vettingut duhet bërë, pasi ky është një proces i suksesshëm i pastrimit nga persona të korruptuar, me lidhje kriminale dhe të paaftë për të bërë drejtësi. Unë nuk mund ta konsideroj rregulloren e Kuvendit llastik. Prandaj për ta mbyllur këtë çështje do të sugjeroja që seanca të shprehej me votë për përfshirjen në rend dite në seancën e 10 shkurtit zgjatjen e afateve të organeve të Vettingut.
Kuvendi sot në seancë plenare, nis me interpelancën me ministrin e Drejtësisë
Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në seancë plenare dhe nis me interpelancë me ministrin e Drejtësisë, kërkuar nga deputeti Kastriot Piroli.
Po ashtu në rendin e ditës së Kuvendit do shqyrtohen disa projektvendime të rëndësishme, si projektvendimi “Për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë” dhe projektvendimi “Për miratimin e strukturës, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit të Komisionit Qendror i Zgjedhjeve”.
Në rendin e ditës janë edhe projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Greqisë, për ngritjen dhe funksionimin e një qendre të përbashkët policore dhe doganore”; Projektligji “Për ratifikimin e konventës 190, “Konventa për dhunën dhe ngacmimin” të Organizatës Ndërkombëtare të Punës 1986”; Projektligji “Për një ndryshim në ligjin nr. 7918, datë 13.4.1995 “Për miratimin me ndryshime të dekretit nr. 1030, datë 23.2.1995 “Për emetimin dhe shpërndarjen e bonove të privatizimit (lekëve të privatizimit)” dhe dekretit nr. 1049 datë 27.3.1995 “Për disa plotësime në dekretin nr. 1030, datë 23.2.1995” të ndryshuar”; Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 105/2016 “Për mbrojtjen e bimëve”; Projektvendimi “Për zgjedhjen e një anëtari të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Kuvendi do të shqyrtojë dhe projektvendimin “Për miratimin e strukturës, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit të Komisionit Qendror i Zgjedhjeve”; Projektvendimin “Për miratimin e strukturës, organikës dhe klasifikimit të pagave të personelit me kohë jo të plotë pune, që rekrutohet për përpunimin e materialeve zgjedhore, të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e Kuvendit.



