
Mjekët në Kosovë i hoqën celularin nga stomaku një të burgosuri, i cili për arsye ende të panjohura, e kishte gëlltitur.
Procedura u krye nga kirurgët në qendrën klinike universitare në kryeqytetin Prishtinë javën e kaluar.
I burgosuri 33-vjeçar, emri i të cilit nuk bëhet i ditur, ishte ankuar për dhimbje stomaku për disa ditë. Ai u dërgua në departamentin gastroenterologjik të klinikës, ku mjekët zbuluan telefonin Nokia 3310 në stomakun e tij.
Skender Telaku, gastroenterologu që drejtoi ekipin mjekësor që kreu operacionin, i tha AFP se operacioni zgjati dy orë dhe doli me sukses.
"Me mjete endoskopike, pa hapur stomakun, ne e hoqëm telefonin e çmontuar në tri pjesë", tha Telaku.
Pacienti u kishte thënë mjekëve se e kishte gëlltitur telefonin katër ditë para ndërhyrjes.
Ajo që e bëri më delikat operacionin ishte frika e rrjedhjes së acidit gërryes në rast të dëmtimit të baterisë së celularit.
"Ishte si të ecje nëpër një fushë të minuar, por gjithçka shkoi mirë pa komplikime," citohet ai nga Euronews.
Nuk është e qartë se si burri e gëlltiti telefonin, por autoritetet dyshojnë se ai e kishte përdorur pajisjen për të komunikuar me njerëzit jashtë.



