Eksperti i kriminologjisë, Ervin Karamuço, komenton raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit, i cili e etiketon Shqipërinë si bazë të trafikut të drogës.
Nga studio e MCN Live, eksperti tha se raporti flet për pastrimin e parave dhe trafikun e drogës.
“Është një raport që ka të bëjë me strategjinë e luftës së drogës, që shkakton pasurim të paligjshëm. E kemi thënë, diçka që duhet të vërë mend dhe policia, është se vjet policia tha se Italia për herë të parë ka thënë se për herë të parë zero trafik droge nga Shqipëria, s’ka mjete lundrimi. Sinjalet që na vinin edhe nga kolegët turq, evidentoi se thjesht është devijuar trafiku, shkon drejt brigjeve turke. Bëhet shkëmbimi, lihet hashashi dhe merret heroina. Raporti ka të bëjë se jo vetëm është ndryshuar itinerari, por është bërë më i gjatë, kemi vajtur deri në ishujt turq. Në gjithë atë itinerar që është dhe FRONTEX, depërtojmë deri në brigjet turke për të çuar hashash, të përfshirë mafia greke, turke dhe krimi i organizuar shqiptar”.
Sipas tij, për herë të parë policia duhet të pranojë se rreziku është kthyer në drejtim tjetër, jo në të Italisë.
Lidhur me pastrimin e parave, Karamuço tha se ndodhemi në zonën gri dhe Shqipëria mund të kthehet në “parajsë fiskale”.
“Ka një vepër penale të re, që është pasurimi i paligjshëm. Kur shohim një pasurim të menjëhershëm, duhet të nisim hetimet kryesisht. Në Shqipëri shikon që një person nga me duart në xhepa, bëhet i pasur brenda ditësh”, deklaroi Karamuço.
Në vijim tha se organet ligjzbatuese nuk bëjnë dot lidhjen për lehtësirat që krijon politika për krimin e organizuar dhe benefitet që merr prej saj, ku kërkoi që të provohet lidhja e politikës me krimin.
“Shpërdorimi i detyrës nuk na ka çuar askund. Nuk ka provuar favorizimin që struktura të caktuara, i bëjnë krimit të organizuar në Shqipëri. Ka retorikë të shtuar të përfaqësuesve diplomatikë që thonë, ‘hetime me politikanë’. Informacionet janë konfidenciale që ka lidhje mes tyre. Duhen institucione shumë të forta për ti çuar përpara këto hetime”, tha ndër të tjera Karamuço.
Eksperti deklaroi se ka një zonë në Shkodër, Vlorë dhe periferi të Tiranës, ku monitorohen me kamera dhe sensorë në mënyrë të vazhdueshme, për shkak të rivaliteteve dhe kërcënimeve nga grupet e tjera dhe kur shihet një fytyrë që nuk njihet, vihen në lëvizje për të zbuluar motivin e ardhjes.
“Pyetja është çfarë masash merren për parandalimin e krimeve. Në gjithë këtë situatë kemi një problem në shkëmbimin e informacionit inteligjent. Duhet një javë që informacioni të shkojë nga pika A në Z, ndërkohë që i dyshuari mund të ketë ikur në Dubai. Operacioni që ka filluar shumë shpejt për kontrollin e lëndëve narkotike është për tu përshëndetur, pjesa tjetër është trafiku ndërkombëtar. Shumat marramendëse nuk i kemi nga shtëpitë e barit, por nga trafiku ndërkombëtar. Krimi i organizuar mund të blejë jo një, por disa palë zgjedhje”.
Ai tha se ka pasur një raport të DIA-s ku i lihet detyrë Shqipërisë që të ketë një shkëmbim informacioni për personat që vijnë në Shqipëri, të cilët mund të fshihen, që sipas tij, do të thotë se edhe për shkak të nivelit të ulët të zbatimit të ligjit, e kanë më të lehtë fshehjen.
Sipas tij, ka ekspontetë të provuar të krimit të organizuar që darkojnë me familjarë të politikanëve.
Nuk kemi parë të jetë kanosur prokurorë apo gjyqtarë, gjë që siç tha ai, se forca për të përballuar këtë krim të organizuar, është në nivele modeste.



