Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Drejtoreshën e Përgjithshme të AZHBR, Frida Krifca, ishin në Korçë ku inspektuan investimin e realizuar nga një sipërmarrës, përfitues i programit të zhvillimit IPARD II, i cili ka investuar në instalimin e paneleve fotovoltaike për vetë konsum.
Balluku, e cilësoi këtë investim si një bashkëpunim shumë të mirë mes energjisë dhe bujqësisë dhe një hap tjetër drejt diversifikimit të burimeve të energjisë.
Ajo u shpreh se ky investim pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në uljen e kostove, por njëkohësisht duke reflektuar edhe në uljen e çmimit të produktit.
E gjithë energjia që prodhohet në Shqipëri është e rinovueshme, por ajo që ne sot po mundohemi të bëjmë është të diversifikojmë burimet. Pra, të mos kemi më vetëm hidrocentralet, të cilat padyshim janë në varësi edhe të motit. Nga ana tjetër, sigurisht ajo që ne synojmë është eficienca energjetike. Pra, sa më shumë kompani të prodhimit të cilat bëhen efiçiente dhe autoprodhuese të energjisë. Bashkëpunimi mes energjisë dhe bujqësisë do të jetë i suksesshëm”, tha Balluku, duke shtuar se shumë shpejt do të shohim projekte të ngjashme edhe në sipërmarrje të tjera.
Drejtoresha e AZHBR bëri të ditur se janë disa biznese, në zona të ndryshe të vendit të cilat kanë shfaqur interes për t’u kthyer në autoprodhues të energjisë, duke pasur si synim uljen e kostove të tyre.



