
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, gjatë takimit të zhvilluar me qytetarët e Tiranës, në zonën e ish-Kinostudios, e ka konsideruar krim të Edi Ramës, kërkesën e bërë nga Holanda për Komisioni Europian për rikthimin e vizave për shqiptarët.
Teksa ka adresuar një sërë akuzash në drejtim të qeverisë, kryedemokrati u përqendrua edhe te kontrata e fundit koncensionare për ndërtimin e rrugës Milot-Balldren. Basha ka thënë se taksat e 4 viteve të paguara nga biznesi i vogël dhe i madh janë të barazvlefshme me këtë kontratë.
Ndërkohë që PS hap më 1 qershor zyrtarisht fushatën për zgjedhjet vendore, kreu i selisë blu ka ftuar qytetarët në një tubim madhështor më 2 qershor, për t'i dhënë fund, sipas tij, të keqes dhe krimit.
Ashtu si edhe në takimet e mëparshme, Lulzim Basha ka shpalosur edhe programin e tij ekonomik, ku theksohet rikthimi i taksës së sheshtë, ulja e çmimit të karburanteve, si dhe hapja e vendeve të reja të punës për uljen e papunësisë.
"Sot që na ndajnë vetëm 2 ditë nga protesta, mund të them se sot është dita për të luftuar për qytetin tonë, kryeqytetin tonë, shtetin tonë. Asnjë çast të mos ndalojmë për t’i dhënë grusht tiranisë ditën e diel, për të fituar populli i bashkuar”, tha Basha.



