Gjatë dy muajve të fundit Agjencia e Trajtimit të Kredive, institucion në varësi të Ministrisë së Financës ka realizuar tre procedura tenderi me fond limit 65 milionë lekë.
Ky fond ka shkuar për Blerje dhe instalim kondicionerë, 16 milionë lekë, blerje pajisje zyre 37 milionë lekë dhe lyerje e punime të brendshme gipsi, me fond limit 12 milionë lekë.
Institucioni ka në organigramën e tij vetëm 28 punonjës.
Përmes procedurës së parë ATK ka blerë 9 kondicionerë. Dy prej tyre kondicioner inverter dollap me fuqi 55000 BTU/h . Çmimi i një kondicioneri të tillë në treg, varion nga 3 - 4 milionë lekë.
Në tenderin e organizuar për blerje pajisje zyre ky institucion ka shpenzuar 36 milionë lekë.
Me këtë buxhet ka porositur, karrige, tavolina, biblioteka , komodina dhe një kasafortë.
Sipas dokumentave të tenderit karrigia e drejtorit duhet të ketë mekanizëm relaksi.
Por përveç karrigeve me mekanizëm relaksi, institucioni kërkon që edhe tavanet të jenë me gipse.
Tenderi i tretë i organizuar nga ky institucion është ai “Lyerje dhe punime të brendshme gipsi “. Në këtë tender ka marrë pjesë vetëm një operator ekonomik, i cili ka fituar me gati 100% të fondit limit. Diferenca mes fondit limit dhe vlerës së kontratës është 45 mijë lekë të vjetra.
Pak kohë më parë ky institucion ka kërkuar përmes një njoftimi në faqen e tij zyrtare dhe marrjen e një ambjenti me qira me sipërfaqe 300-350 m2 . Çmimi thuhet në njoftim, është i diskutueshëm.
“Xhadat” ka zbuluar se tre tenderat e lartpërmendur janë bërë me qëllim rregullimin dhe mobilimin e ambjentit të ri të Agjencisë së Trajtim të Kredive.
Misioni i Agjencisë së Trajtimit të Kredive është mbledhja e kredive të këqia të ish- bankave të nivelit të dytë me kapital shtetëror në favor të buxhetit të shtetit.



