Negociatat, Blok: Votojmë pro Shqipërisë, kur të shohim rezultate në luftën kundër krimit dhe korrupsionit  (VIDEO)

Negociatat, Blok: Votojmë pro Shqipërisë, kur të shohim rezultate në luftën kundër krimit dhe korrupsionit (VIDEO)

Rezultatet konkrete në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbeten kusht për “po”-në e Holandës në hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ministri i Jashtëm holandez, Stef Blok, në një intervistë për Jutarnji.eu, vlerëson hapat e deritanishëm të reformës në drejtësi, por thekson se Shqipëria duhet të provojë se po lufton në mënyrë të qëndrueshme krimin e organizuar dhe korrupsionin.  

Ne kemi mirëpritur hapat pozitivë të ndërmarrë nga Shqipëria. Vetingu i gjyqtarëve dhe prokurorëve është veçanërisht thelbësor. Ka pasur reforma të rëndësishme ligjore dhe janë krijuar institucionet e reja të drejtësisë. Sidoqoftë, përpara fillimit të negociatave të pranimit, Shqipëria do të duhet të tregojë një angazhim të qëndrueshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Duke u ndalur te Maqedonia e Veriut, kandidatja tjetër për hapjen e negociatave, të cilës gjithashtu nuk iu hap drita jeshile tetorin e kaluar, kryediplomati holandez vlerëson progresin në garantimin e sundimit të ligjit dhe në mënyrë të veçantë marrëveshjen e Prespës.

Maqedonia Veriore ka bërë shumë përparim në drejtim të reformave të sundimit të ligjit. Dhe marrëveshja e Prespës midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut shërben si shembull për rajonin.

Blok thotë se Këshilli Evropian do t’i rikthehet kësaj çështjeje para Samitit të Ballkanit Perëndimor në maj të këtij viti dhe u sugjeron të dy vendeve ta përdorin këtë kohë për të avancuar me reformat.

Siç kemi bërë më parë, ne do t’i mbështesim Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në përpjekjet e tyre për të ecur drejt të ardhmes në BE. Periudha e ardhshme mund të përdoret për reforma të mëtejshme të sundimit të ligjit. Të dy qeveritë kanë njoftuar se synojnë të vazhdojnë me këto reforma. Ne jemi të gatshëm t'i ndihmojmë të dy vendet në proceset e tyre të vazhdueshme të reformës.

Holanda, Franca dhe Danimarka ishin vendet që votuan kundër hapjes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut në samitin e 17 dhe 18 tetorit të Këshillit Evropian. Ndërsa Franca e kushtëzoi hapjen e negociatave për dy vendet me reformimin e brendshëm të BE-së fillimisht, për të kaluar më pas te zgjerimi, Holanda e motivoi vendimin kundër Shqipërisë, duke u shprehur se vendi ka shumë punë për të bërë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy