Rreth 150 banesa janë prekur nga përmbytja në qarkun e Shkodrës, ku uji ka shkaktuar dëme në bujqësi dhe blegori. Korresponendtja Bendis Druni në një raportim për Mcn Live bën me dije se zona më problematike ka qenë Vau i Dejës, ku lumi Glinë ka dalë nga shtrati, ndërsa raportohet për rrëshqitje dherash edhe në Fushë-Arrëz.
“Në Bashkinë e Vaut të Dejës jemi pozicionuar. Siç mund të shihet nga pamjet pas meje, toka të tëra me ullinj janë mbuluar nga uji. Banorët thonë se dëmi është shumë i madh dhe bëhet fjalë për miliona lekë dëm. Jo vetëm toka bujqësore janë përfshirë nga përmbytja, por edhe banesa. Intervistuam një banor ku shtëpia e tij ishte përfshirë 1 metër e gjysmë nga uji. Uji ka filluar të tërhiqet. Shifra sa i përket banesave të përmbytura bëhet fjalë për 150 shtëpi të përmbytura. Kemi pasur vetëm një rast evakuimi në Vaun e Dejës. Situata i ka gjetur papritur banorët. Vau i Dejës ka qenë zona më problematike, ku lumi Glinë ka dalë nga shtrati. Në Fushë-Arrez ka patur rrëshqitje dherash. Kanë qenë disa fshatra që janë përballur me mungesë energjie elektrike”.
Një nga banorët e fshatit Mal i Rrëzuar që ka pësuar dëme, Preng Lleshi, kërkon dëmshpërblim.
“Përmbytja më e madhe ka qenë dje. Sot ka rënë niveli i ujit komplet. Uji më ka bërë shumë dëme, me pompa uji, lavatriçe, pula, etj. Duam dëmshpërblim normal, tokat më janë përmbytur, me hardhi, ullinj. Nuk ka ardhur asnjë njeri as për të parë. Po u thye një digë tjetër poshtë, do t’i marrë me gjithë njerëz para”.



