
Kryeministri i Kosovës dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pasi ka dështuar propozimi i Lëvizjes Vetëvendosje që shqyrtimi i Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme të bëhet me procedurë të përshpejtuar në Kuvendin e Kosovës.
Kurti ka thënë se është në dorën e opozitës nëse do ta votojnë Vjosa Osmanin për presidente ose vendi shkon në zgjedhje. Kërkesa e Vetëvendosjes nxiti shumë reagime e pakënaqësi të opozitës.
Lidhur me këto zhvillime përmes një lidhje Skype për MCN TV analisti Dritëro Arifi tha se futja e këtij ligji në seancë të jashtëzakonshme është bërë në mënyrë arbitrare, duke fyer LDK-në. Sipas tij Vetëvendosje në vend që të negocionte për zgjedhjen e Presidentit ka bërë të kundërtën dhe siç u shpreh ai “ka dërguar mesazh se nuk janë të interesuar për bashkëpunim, por të qeverisin sëbashku”.
Kërkesa për shqyrtimin e ligjit u hodh në një seancë të jashtëzakonshme në orët e mbrëmjes së të premtes, por nuk kaloi pasi opozita votoi kundër.
Intervista e Dritëro Arifit për MCN TV:
Zoti Arifi, sot është paralajmëruar mbajtja e një seance të jashtëzakonshme për zgjedhjen e presidentit, ndërkohë që afati përfundimtar është data 5 prill. Sa të mundur e shihni që kreu i shtetit të zgjidhet sot?
Arifi: Sot është duke u zhvilluar mbledhja e kryesisë së parlamentit, nuk ka pasur agjendë dhe është mbledhur për seancën e radhës për zgjedhjen e Presidentit. Nuk është më çështja e zgjedhjes së presidentit, por inicimi i projektligjit që të votohet brenda 4 orëve, ka qenë shumë i befasishëm. Një ligj për blerjen e vaksinës do të ishte urgjent apo për rimëkëmbjen ekonomike. Janë disa ligje urgjente, por ligji për zgjedhje mund të presë edhe tre vite. Futja e këtij ligji në seancë të jashtëzakonshme është bërë në mënyrë arbitrare duke fyer LDK. Ata kanë pranuar të qëndrojnë në sallë dhe nuk kuptohet urgjenca. Kjo e ka komplikuar procesin. Aty ku ka demokraci ka edhe vlera morale.
Lëvizja Vetëvendosje duket se nuk ka gjetur ende konsensusin dhe votat e mjaftueshme për të zgjedhur Vjosa Osmanin në krye të shtetit. Pse ky ngërç dhe a mund të shkojë vendi në zgjedhje të parakohshme?
Arifi: Kjo është edhe habia e njerëzve, ata në vend që të negocionin, kanë bërë të kundërtën dhe kanë dërguar mesazh se nuk janë të interesuar për bashkëpunim, por të qeverisin sëbashku. Opozita nuk duhet të ketë frikë. Mund të shkohet në zgjedhje të parakohshme. Ata janë ngutur për ligjin e zgjedhjeve. Po të kishte pasur negociata do të ishte gjetur një zgjedhje për presidentin.
Roli i ndërkombëtarëve në këtë situatë?
Arifi: Sipas informacioneve të paverifikuara ka pasur presion nga SHBA të tërhiqet ligji. Qëllimi s’ka qenë të kalojë ligji, por të ofendohet opozita dhe të shkohet në zgjedhje të jashtëzakonshme. Se di pse është kushti që presidenti të zgjidhet nga VV. Nuk do ketë kush ti kritikojë duke krijuar një pushtet të tillë.



