
Dosja e SPAK për Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka nxjerrë në pah jo vetëm dyshime për korrupsion të përmasave të mëdha në tendera, por edhe elementë të rëndë si pengmarrje, dhunë dhe shantazh. Hetimet po zhvillohen për veprën penale të grupit të strukturuar kriminal.
Gazetari Mariglen Kume deklaron për “MCN Live” se hetimi nuk duhet të kufizohet vetëm te AKSHI, por duhet të shtrihet edhe në institucione të tjera që kanë dhënë miratimet për zhvillimin e tenderëve sekretë, shpesh pa plotësuar kriteret ligjore dhe pa certifikata sigurie.
Këtu SPAK ka konstatuar se AKSHI funksiononte si një grup i strukturuar kriminal, por sipas meje, ky mekanizëm shtrihet përtej AKSHI-t, edhe në institucione të tjera.
Një element kyç është përdorimi i shpeshtë i procedurave sekrete për tenderë që nuk i plotësonin kriteret ligjore për t’u klasifikuar si të tillë.
Tenderët shpesh paracaktoheshin dhe, për të shmangur transparencën, përdorej procedura sekrete edhe kur nuk kishte bazë ligjore.
Në këtë kontekst, Kume nënvizon rolin e institucioneve që miratojnë zhvillimin e tenderëve sekretë.
Për realizimin e një tenderi të tillë, kërkohet konfirmimi nga ish-DIKSIK, tashmë institucioni përgjegjës për certifikatat e sigurisë, si dhe pajisja me certifikatë sigurie nga kompanitë përfituese.
Hetimi duhet të shtrihet për të zbuluar se si janë dhënë këto miratime për zhvillimin e tenderëve sekretë dhe si është lehtësuar lëshimi i certifikatave të sigurisë.
Kompanitë që kanë përfituar tenderë sekretë duhet të kenë domosdoshmërisht certifikata sigurie, ndërsa dyshime ka edhe për përfshirjen e institucioneve të tjera diskrete në këtë proces.
Sipas burimeve të mia, Ergys Agasi kishte rol kyç në firmosjen e marrëveshjeve për tenderët dhe, pa miratimin e tij, procedurat nuk mund të vijonin.



