Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo, konstituimin e parlamentit serb me tensione dhe protestë nga ana e opozitës, e sheh si diçka të përsëritur dhe jo tregues se pozitat e Aleksandër Vuçiç janë dobësuar.
Nga studio e lajmeve të MCN TV, ai tha se ka kohë që opozita ka bërë protesta të mëdha dhe në sheshet e Beogradit, pas përfundimit të zgjedhjeve, rezultati është që zgjedhjet u njohën dhe konstituimi i parlamentit, mori një vulë përfundimtare njohja e zgjedhjeve.
Sipas tij, këtë herë ka më shumë kontestime dhe fakti që ndërkombëtarët reaguan tregon se ka një inkurajim të opozitës por nuk besoj se opozita ka forcën e duhur për të përmbysur regjimin e Vuçiç.
Jam skeptik për të parë veprime të vendosura ndërkombëtare, pavarësisht kritikave, për të vendosur presion në Beograd për anulim të zgjedhjeve.
Është një shfaqje opozitarizmi, por jo më shumë.
Patjetër që nuk është temë e thjeshtë manipulimi i zgjedhjeve aq më tepër që ka fakte dhe janë të dukshme se i ka nënvizuar OSBE-ODHIR në raportin e parë, ka dhe një rezolutë të Parlamentit Europian për zgjedhjet në Serbi dhe kritika nga DASH dhe qendra të tjera të politikës ndërkombëtare.
Është një fakt dukshëm dhe opozita po e shndërron në kauzë për të fituar terren, por kjo nuk do të mjaftojë nëse opozita serbe nuk krijon një platformë të dukshme.
Loja e Vuçiç mes dy blloqeve nuk ngre shumë peshë në politikën e brendshme të Serbisë.
Vuçiç e ka zakon dhe zakonisht përcjell një frymë pesimizmi dhe disfatizmi se Serbia kërcënohet nga një komplot ndërkombëtar.
E shoh si pjesë të lojës së tij se kërkon të mobilizojë mbështetësit e tij, strukturat besnike të tij me qëllim që ai të vazhdojë të qëndrojë në pushtet dhe pse jo të forcojë më tepër pozitat kundrejt një opozite, që është në të drejtat e veta.
Kritikat e perëndimit ndaj tij nuk janë të një niveli të tillë sa të shkaktojnë trazira në Beograd.
Serbia është pjesë e një përplasje strategjike mes Rusisë dhe Perëndimit. Janë përplasje strategjike të fuqive të mëdha.
Lidhur me vizitën e ministrit të Jashtëm gjerman, i cili i dha të drejtë qeverisë Kurti për çështjen e dinarit, u shpreh se Gjermania ka një rol parësor në qëndrimet brenda BE, ndoshta është dhe vendi më i prekur nga gjithë këto sanksione që janë marrë kundër Rusisë.
Edhe politika gjermane pavarësisht nga nuancat që ka nuk del jashtë deklaratave dhe qëndrimeve zyrtare të BE.
Nuk janë kundër bankës qendrore të Prishtinës në parim.
Duhet ta shohim si një parim madhor të sovranitetit dhe në këtë rast parimisht të gjithë janë dakord që Kosova të vendosë rregull në njehsimin e monedhës.
Kurti të mos dalë kundër vijës së kuqe ka vendosur BE.
SHBA dhe BE kanë ende shpresë se mund ta disiplinojnë dialogun Serbi-Kosovë në Bruksel, përmes mekanizmave të njohur, duke kërkuar respektimin e marrëveshjes së Ohrit.
Edhe Vuçiç e di që nuk ka kohë tani, SHBA janë në prag të zgjedhjeve presidenciale. BE është në prag të zgjedhjeve për institucionet e tij në qershor, nuk ka kohë shumë.
Vuçiç përpiqet të fitojë kohë. Këtë gjë nuk e bën Prishtina, Kurti bën të kundërtën, që ose fiton tani që ka terren të favorshëm, ndaj mori vendimin për dinarin, apo prishjen e strukturave paralele komunare.
Se ai është i sigurt në një gjë që pas 24 shtatorit, pozitat e Serbisë përballë komunitetit ndërkombëtar u dobësuan, pasi Serbia aspiron luftë në Kosovë.
Shto faktin që NATO shtoi numrin e ushtarëve në Kosovë, në këto rrethana Albin Kurti mendoi të avancojë në pozitat e tij dhe mori dy masat e reja.
Por këto masa të Kurtit bien ndesh me politikën e SHBA dhe BE, këtu kemi një përplasje, por se deri ku do shkojë kjo përplasje mund të ketë retorikë paksa të nxehtë por nuk besoj të shkoj më shumë se kaq.
Ndërsa për 25-vjetorin e konferencës së Rambujesë ku refuzimi nga Beogradi për të pranuar një marrëveshje paqësore, çoi në fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër Serbisë, tha se pa konferencën e Rambujesë, nuk do të kishim sot Kosovë të pavarur.
Është e sigurt, se ishin ato vendime që u morën që motivoi ndërhyrjen e NATO-s që arriti rezultate që bashkë me UÇK, çliruan Kosovën dhe u fut në ndërtimin e shtetit të pavarur.
Rambujeja është një monument i madh që përgatiti pavarësinë e Kosovës.
Problemi tani është që një shtet i tillë i ndërtuar me baza të tilla është dashur dhe duhet të jetë për çdo veprim në konsensus ndërkombëtar, e vështirëson ecurinë e mëtejshme të shtetit të Kosovës sot për ato probleme që janë në rendin e ditës.



