Meta: Opozita do t’i japë fund regjimit që ka rrëmbyer lirinë e shqiptarëve. S'ka qeveri që i mbijeton zemërimit të popullit

Meta: Opozita do t’i japë fund regjimit që ka rrëmbyer lirinë e shqiptarëve. S'ka qeveri që i mbijeton zemërimit të popullit

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në fjalën e mbajtur gjatë Konventës Kombëtare deklaroi se vetëm për shkak të Rilindjes, Shqipëria është sot vendi me shpopullimin më dramatik në Europë dhe vendi më i varfër në Europë.

Ai tha se Partia e Lirisë është alternativa e shpresës për të zgjuar guximin qytetar dhe shpirtin e lirë dhe patriotik.

Misioni ynë është tu japim shqiptarëve lirinë e grabitur dhe mundësitë e mohuara për të jetuar me dinjitet dhe të lirë në atdheun e tyre. Misioni ynë është që Shqipëria tu përkasë të rinjve. Ndaj ne do të bëjmë çdo sakrificë për të ndaluar shpopullimin, këtë hemorragji që po vret vitalitetin, energjinë e Shqipërisë, të rinjtë dhe profesionistët, e që po kërcënon identitetin dhe të ardhmen e kombit dhe familjeve tona.

Vetëm për shkak të Rilindjes, Shqipëria, vendi me moshën e popullsisë më të re në Europë deri para 10 vitesh, është sot vendi me shpopullimin më dramatik në Europë.

Vetëm për shkak të Rilindjes, qytetarë të pafajshëm, të rinj dhe fëmijë, vriten në mënyrë të përsëritur nga dora e policisë dhe askush nuk dënohet e jep llogari.

Sot, së pari qytetarët presin prej Partisë së Lirisë heqjen e prangave dhe shembjen e burgut ku po jetojnë. Ky është borxhi më i madh që u kemi qytetarëve qysh pas rrëzimit së diktaturës komuniste në fillim të viteve ’90-të.

Sfida reale e opozitës nuk është vetëm të denoncojë kush është e keqja e këtij vendi, por sesi ta mundim atë, sepse të gjithë qytetarët tashmë e dinë dhe po e përjetojnë në shpinën e tyre çdo ditë dhe më tepër.

Sipas tij, për shumicën e shqiptarëve jeta është kthyer në një dramë dhe tmerr pa fund, ndërsa për disa të privilegjuar është një parajsë ku mund të luhet bixhoz me jetën e gjithsecilit dhe me pasurinë tonë kombëtare.

Koha nuk pret më! Koha është tani, që Partia e Lirisë dhe Opozita e Bashkuar t’i japi fund sundimit të regjimit që u ka rrëmbyer liritë shqiptarëve.

Ndaj Partia e Lirisë angazhohet solemnisht, ti japë fund sundimit të regjimit, për të vendosur sundimin e ligjit!

Sundimi i ligjit do të garantohet: nga rivendosja e shtetit të së drejtës dhe kushtetutshmëria, nga rivendosja e institucioneve të forta dhe të pavarura, nga llogaridhënia dhe ndëshkueshmëria, nga mirëqeverisja dhe meritokracia, nga liria ekonomike dhe zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm, nga punësimi me paga dinjitoze që mbulojnë kostot e larta të jetesë, nga lufta kundër varfërisë dhe mbështetja sociale për shtresat më të prekura të shoqërisë.

Koha është tani për një “Marrëveshje të Re Sociale dhe Patriotike”, për të ndalur shpopullimin dhe emigracionin masiv të të rinjve tanë.

Shqipëria do t’i përkasë të rinjve, sepse një shoqëri dhe një popull pa rini është si një trup pa shpirt.

Kur të gjithë bëhemi bashkë nuk ka diktaturë dhe qeveri pakice që i mbijeton zemërimit dhe verdiktit popullor.

Prandaj, për Partinë e Lirisë, referendumi është manifestimi më sublim i demokracisë direkte dhe vullnetit të sovranit! Kur pushteti autokratik vjedh votën e lirë, përdhos demokracinë dhe Kushtetutën e vendit, atëhere referendumi mbetet arma e vetme në dorën e sovranit!

Nuk do të ketë kauza të mëdha dhe vendime strategjike për të ardhmen e vendit pa ushtrimin e vullnetit të sovranit përmes referendumit!

Meta deklaroi se përgjegjësia për krizën energjetike dhe çmimet e larta të energjisë për konsumatorët kanë vetëm një emër, atë të Edi Ramës që në 10 vjet si Kryeministër është kujdesur vetëm për të mbushur xhepat e tij duke zbrazur xhepat e familjeve shqiptare dhe duke i kthyer kompanitë shtetërore, KESH, OSSHE, etj., në kompani korruptive dhe elektorale.

Ai shtoi më tej se Partia e Lirisë ka depozituar dy iniciativa ligjore në Kuvendin e Shqipërisë për të liberalizuar urgjent investimet për impiantet fotovoltaike me qëllim nxitjen e qytetarëve dhe bizneseve për ta zgjidhur vetë prodhimin e energjisë me panele diellore dhe për të injektuar energjinë e tepër të tyre elektrike, në sistemin kombëtar të energjisë.

Partia e Lirisë do të mbështesë fuqishëm të gjithë ata që do të investojnë për të rritur prodhimin vendas të energjisë, duke i hequr të gjitha pengesat burokratike, administrative dhe korruptive të regjimit aktual.

Ndërsa qeveria e Edi Ramës ka dështuar totalisht në menaxhimin e sistemit të energjisë elektrike, nga ana tjetër, kërkon tu vërë taksë të jashtëzakonshme prodhuesve privatë të energjisë elektrike, të cilët vetëm në vitin e fundit, i kanë kursyer shtetit mbi 250 milionë euro, me energjinë e prodhuar prej tyre.

Ne do të çmontojmë modelin mafioz Rilindas të ekonomisë, bazuar në paranë e pisët, trafiqet, informalitetin dhe korrupsionin.

Ne do të çmontojmë modelin që e mbyti Shqipërinë me miliarda euro borxh, të cilat i shërbyen korrupsionit dhe asnjëherë qytetarit.

Modeli ynë ekonomik mbështetet tek nxitja e prodhimit, tek eksportet, tek ekonomia e dijes, tek liria dhe klima miqësore ndaj biznesit, si e vetmja mënyrë për thithjen e investimeve te huaja, tek ulja e barrës fiskale dhe formalizimi i ekonomisë, tek kualifikimi i burimeve njerëzore për paga të jetueshme, tek garantimi i të ardhurave jetike për shtresat në nevojë, tek zgjerimi dhe konsolidimi i shtresës së mesme të shoqërisë, si garante e një zhvillimi të qëndrueshëm, por edhe vetë mbrojtjes së demokracisë. 

Ne synojmë të kemi një zhvillim ekonomik, që përkthehet në rritjet e pagave aktuale të shumicës së shqiptarëve, që janë paga mbijetese, sa për të mbajtur frymën gjallë, në “paga të jetesës” që garanton mbulimin e kostove të jetesës, dhe një mirëqenie të familjeve shqiptare. Për një jetë cilësore dhe me dinjitet në vendin e tyre.

Ne do të miratojmë ligjin për indeksimin e pagave në raport me inflacionin dhe rritjen ekonomike, rritje e pagave që do të realizohet çdo vit.

Ilir Meta tha se Rama ka ndërtuar një model qeverisës korruptiv, arrogant, grabitqar dhe shtypës.

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy