Analisti Baton Haxhiu ka ngritur shqetësime të forta mbi funksionimin e kompanisë së naftës Bankers dhe rolin e institucioneve shtetërore, gjatë një interviste në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV.
Ai u shpreh se prej vitesh ka pasur interes të kuptojë se si një kompani ka operuar për më shumë se dy dekada pa pasoja të dukshme ligjore apo financiare për shtetin.
Kam pasur vetëm interes se si është e mundur që një kompani për njëzet e ca vite të funksionojë në mënyrën e tillë dhe të mos ketë pasoja. Dhe edhe për faktin që shteti nuk ka marrë, ose e ka marrë shumë pak nga puna dhe fitimet e bankës.
Sipas tij, problematika lidhet kryesisht me vendimmarrjen politike dhe mungesën e reagimit institucional.
Logjika është te gabimet politike, nuk është as te kinezët. Këto janë rrëmbime, grabitje politike.
Ai kritikoi gjithashtu sistemin e drejtësisë, duke theksuar mungesën e ekspertizës në trajtimin e çështjeve komplekse ekonomike dhe industriale.
Prokuroria dhe gjykatat nuk kanë ekspertë për çështje si nafta apo digitalizimi për bankat. Kanë për gjëra të vogla si evazioni fiskal, por jo për dëmet e mëdha ndaj shtetit.
Haxhiu shtoi se, megjithëse ka pasur tentativa nga institucionet për ta referuar çështjen në prokurori, nuk është e qartë nëse këto përpjekje kanë pasur efekt konkret.
Në përfundim, ai e cilësoi çështjen e Bankers si një nga problemet më të mëdha të pazgjidhura në historinë e shtetit shqiptar.
“Bankers-in e kam marrë si njollën më të madhe që Shqipëria ka prej njëzet e tre vitesh. Dhe deri më tash nuk ka gjetur asnjëherë se ku është çelësi”, u shpreh Haxhiu, duke shtuar se situata në zonën e Fierit është përkeqësuar ndjeshëm.



