
Rritja e temperaturave me kalimin e viteve nuk do të sjellë vetëm pasoja sociale, por edhe rritje të kërkesës për energji. Një studim i publikuar në revistën “Nature Communications”, parashikon që rritja e temperaturës mesatare globale deri në vitin 2050 do të sjellë rritjen e kërkesës për energji me 25-58%, çka varion sipas zonave të planetit.
Por nëse ngrohja globale do të ketë ritëm të moderuar, në rast të aplikimit të politikave për reduktimin e gazeve serrë në bazë të Marrëveshjes së Parisit (2015), rritja e kërkesës për energji do të jetë 11-27%.
Sipas studimit, vendet e para që do ta ndiejnë nevojën e energjisë për të përballuar temperaturat e larta janë rajonet tropikale dhe qendrore si SHBA-të, Europa dhe Kina. Kërkesa do të lidhet kryesisht me energjinë e nevojshme për ajër të kondicionuar sidomos në sektorin e industrisë dhe të shërbimeve publike.
Por nëse në jug të SHBA-ve dhe në Europën qendrore, nevoja do të rritet, në veri të Rusisë dhe në Britani ekziston mundësia edhe për ta kursyer energjinë elektrike. Ndërkohë nuk do të mund të përmbushen nevojat e vendeve si Afrika, ku shumë njerëz edhe sot nuk kanë akses në energji.
Për ta kuptuar më mirë atë që mund të ndodhë me kalimin e viteve, mjafton t’i hedhësh një sy zhvillimit të vrullshëm të biznesit të sistemeve të ajrit të kondicionuar. Në vitet ’90, europianët kishin në total rreth 44 milionë kondicionerë dhe pajisje të tjera të ngjashme, shifër që në vitin 2010 kishte arritur në 80 milionë.
Për vitin 2050 parashikohet që 275 milionë europianë nuk do të mund të rrinë pa ajër të kondicionuar për shkak të vapës.
Të njëjtin lulëzim të tregut sheh edhe në Kinë, nëse bën një analizë të ngjashme. Në vitet ’90 atje pothuajse mungonin kondicionerët, ndërsa në vitin 2050 parashikohet të jenë në funksion plot 1 miliard e 400 mijë të tillë.
Studimi është kryer nga Instituti Ndërkombëtar për Analizat e Sistemeve të Aplikuara (Austri), Universiteti i Bostonit, Universiteti Ca’Foscari në Veencia dhe CMCC.



