Në vitin 2023 inceneratori i Tiranës ka marrë afërsisht 12 milion euro pagesa nga buxheti i shtetit, por vlera e investimit ishte 56 mijë euro. Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi deklaroi në emisionin Kronos në MCN TV se shumë shpejt do të denoncojë me dokumenta vlerën reale që ka investuar koncesionari në këtë objekt ndër vite dhe vitin e fundit.
“Do të bëj rishikimin e fundit për investimin në inceneratorin e Tiranës. Po jap vetëm një detaj, ky inceneratori 128 milion euro, për vitin 2023 ka investuar 56 mijë euro, ndërsa merr mbi 10 milion euro në vit nga buxheti i bashkisë së Tiranës”, u shpreh Kryemadhi.
Kryemadhi tha se shumë shpejt do të zbardhë dhe skemën se si bashkia Tiranë ka favorizuar koncesionarin duke mos i vendosur penalitete dhe pse ka qënë dhe është në shkelje të hapur të kontratës.
“Njësia e zbatimit të projektit ndjek projektin dhe në bazë të kontratës bëhet pagesa. Ka dy përfaqësues në këtë njësi Bashkia Tiranë, një e ka Ujësjellës-Kanalizime dhe një Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe tani me sa di ia kanë kaluar Ministrisë së Mjedisit me argumentin se nuk ai pranojnë MIE-s përfaqësuesit, ia kalojnë Mjedisit si ministri që ka nënshkruar dhe kontratën. Është ky ping-pongu që bëjnë me njëri -tjetrin. Por kryesori është Bashkia Tiranë, sepse ajo është institucioni që paguan, se ministria nuk paguan lekë aty. Bashkia që paguan 10 milion euro në vit, dhe këtu duhet të kishte diferencim, riciklim, incenerim dhe administrim të mjedisit. Si ka mundësi që paguhen paratë kur nuk ke emëruar monitorues të kontratës? Dhe te inceneratori i Tiranës është ezauruar gjithë kapaciteti dhe vaskat e mbetjeve që supozohej të mbusheshin për 30 vjet! Është bërë një katastrofë mjedisore”, thotë ajo.
Monika Kryemadhi e mohon në mënyrë kategorike që dosja për inceneratorët t’i jetë dhënë nga Arben Ahmetaj dhe thotë se personat që i kanë treguar për aferën janë bashkëpunëtorë të afërt dhe sot në zyrën e Kryeminsitrit Rama.
“Mua nuk ma ka dhënë dosjen Arben Ahmetaj, sepse Ahmetaj nuk do të donte të hetoj dhe përgjegjësia e tij te kjo dosje. Kjo nuk është histori e inceneratorit të Tiranës nuk është histori shqiptarësh e as ndërkombëtarësh, por e atij kontigjenti njerzish që sigurisht janë pranë tavolinës së Edi Ramës, kanë sytë e veshët ku i ka Edi Rama dhe nuk duan që kjo gjë të vazhdojë”, tregon Kryemadhi.



