Me VKM qeveria ka krijuar Kadastrën Fiskale, një regjistër i ri për taksat mbi ndërtesat. Duke folur në Mcn Live eksperti i IT Besmir Semanaj e sheh si një hap të nxituar dhe problematik, për sa kohë që të dhënat aktuale janë problematike.
Ai paralajmëroi se problemet e sistemit mund të shkaktojnë konflikte sociale dhe barra do t’u bjerë bashkive që s’kanë aftësi teknologjike dhe staf të trajnuar. Semanaj ngriti pyetjen se çfarë do të ndodhë në rast hakerimi të sistemit.
“Do kemi regjistër të centralizuar për taksimin e ndërtesave. Në pamje të parë duket pozitive, do menaxhohet nga Tatim/Taksat dhe AKSHI, pasi informacioni do merret nga Kadastra. Do ishte pozitive nëse do ndërtohej nga fillimi dhe do ishte i saktë, por për sa kohë informacioni do merret nga Kadastra, ku ka ndërtesa të paregjistruara dhe pa certifikata pronësie, nuk e di si do regjistrohen në këtë sistem.
Barra kryesore do t’u bjerë bashkive, dhe kjo mund të çojë në konflikt social, pasi kemi shumë prova të mbivendosura, kemi prona me emra të ndryshëm, të shitura në më shumë se një individ. Për sa kohë do përdoren të dhënat aktuale që janë problematike, edhe sistemi do ketë probleme. Duket shumë evaziv dhe mund të jetë abuziv. Nuk thuhet kush do jetë mënyra e vlerësimit, tregu real apo vlerësimi që jep shteti aktualisht, që është goxha më i ulët. Nga ana teknike është një gjullurdi dhe një rrëmujë shumë e madhe. Imagjinoni nëse regjistri i pronave do jetë në sistem, të kemi hakerim.
Edhe kjo u ka mbetur shqiptarëve pa u bërë publike. Është pjesa e garancisë, hakerimet, kemi gjithë kupolën e AKSHI-t nën hetim. E shoh të nxitur sepse mbi këto sisteme të papastruara duam të ngremë një sistem të ri. Pikësëpari duhet të rregullojmë databazat pranë Hipotekat. Përgjegjësia do t’u bjerë bashkive, që s’kanë as aftësi teknologjike, as staf të trajnuar”.
I pyetur në lidhje me AKSHI-n, Semanaj tha se gjithë ekosistemi i IT dhe teknologjisë në Shqipëri është i kalbur.



