Në mbledhjen virtuale me parlamentarët e vendeve anëtarë dhe kandidate të BE-së, kancelarja gjermane Angela Merkel tha se nuk mund të premtonte çeljen e negociatave per Shqipërinë këtë vit.
Megjithatë, në një komunikim me studion e lajmeve në TvT, deputetja Rudina Hajdari, thotë se me gjithë përpjekjet e kancelares Merkel, ky “ndëshkim”, vjen nga shkaku i mosplotësimit të vendeve vakante të Gjykatës Kushtuese nga ana e Shqipërisë.
“Gjermania, si një aleate e fortë, është munduar të shtyjë palët që të ofrojnë kushte për Shqipërinë. Palëve që kanë detyra u bie pesha për të përfunduar një detyrë të rëndësishme të Shqipërisë për plotësimin e vendeve vakante për Gjykatën Kushtetuese. Ishin përpjekjet e kancelares për ta bërë Shqipërinë që të arrijë këtë pikë. Si një sinjal që vëmendja e Gjermanisë është ende me sy nga Shqipëria, si dhe është duke inkurajuar që të mos rrijë në vendnumëro, sepse shumë shpejt do të ketë një takim, më 10 dhjetor ku do të merret një vendim përfundimtar dhe konferencë të parë ndërqeveritare”.
Fundi i vitit pritej me optimizem për tryezën e parë ndërqeveritare Shqipëri-Bashkimi Europian. Lidhur me këtë, deputetja Hajdari thotë se sipas të gjitha shanseve, Shqipëria duhet të presë ende.
“Mendoj se përsa i përket kësaj kornize kushtetuese apo konferencës ndërqeveritare, bëhet për të plotësuar hallkat. Konferenca është një hallkë drejt rrugës së BE, nëse ne e humbasim këtë shans, e tërë pesha i bie qeverisë dhe të gjithë jemi dakord që gjithsecili prej nesh ka rolin e saj sepse korniza negociuese, si pjesë e detyrave të shoqërisë, Parlamentit, qeverisë, presidentit, institucioneve të reformës në drejtësi, të gjithë luajnë një rol në gërshetim të përgjegjësisë. Është interes madhor kombëtar dhe mos ta humbasim këtë shans”.
Hajdari thotë se tashmë dihet se vendet vendet që nuk e shohin ende gati Shqipërinë për tryezën e parë ndërqeveritare janë Holanda, Danimarka dhe Franca, të cilat shprehin rezervat e tyre përkitazi me krimin e organizuar dhe luftimin e këtij fenomeni nga pala shqiptare.



