Billbordet me foton e Zonjës së Parë të Amerikës janë hequr nga rrugët e kryeqytetit kroat pasi avokati i saj paralajmëroi se do të hidhte në gjyq ata që e kishin përdorur imazhin e saj për të reklamuar një shkollë në Zagreb.
“Imagjinoni sa larg mund të shkoni me pak anglisht”, thuhej në tekstin e reklamës së një shkolle për mësimin e anglishtes.
Billbordet ishin pjesë e një fushate marketingu përmes të cilës synohej ndërgjegjësimi i kroatëve për të mësuar anglisht duke u kujtuar përvojën e Zonjës së Parë që ka lindur në Slloveni.
Por Zonja Trump mesa duket nuk e ka pranuar atë që ishte konceptuar si shaka mbi anglishten e saj me theks slloven.
Avokati i saj slloven kërkoi që të gjitha billbordet në të cilat Melania Trump shfaqet duke mbajtur një fjalim ndërsa në sfond duket flamuri amerikan, të hiqen menjëherë.



