
Ish-zonja e parë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Michelle Obama, nuk do të kandidojë për në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2024.
Këtë fakt e ka bërë të qartë të martën, më 5 mars, në transmetuesin “Nbc News” zëdhënësja e saj Crystal Carson.
“Siç ka thënë disa herë gjatë viteve, zonja Obama nuk do të kandidojë për presidente. Ajo mbështet fushatën e rizgjedhjes së Presidentit Joe Biden dhe Zëvendës Presidentes Kamala Harris ”, tha Carson në përgjigje të zërave të vazhdueshme të shtypit në lidhje me mundësinë e një kandidature të gruas së ish-presidentit Barack Obama në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.
Burime të cituara nga vetë “Nbc News” theksojnë gjithashtu se Michelle Obama do të ishte e gatshme të jepte një kontribut në fushatën elektorale të Biden që fillon vjeshtën e ardhshme, siç ndodhi edhe katër vite më parë.



