
Pas vendimit të Ministrisë së Brendshme për ta shpallur “person të padëshiruar” në Republikën e Shqipërisë për një periudhë 15-vjeçare, Igballe Huduti ka reaguar duke kundërshtuar akuzat dhe duke paralajmëruar se do ta ankimojë vendimin në gjykatë.
Sipas autoriteteve, vendimi bazohet në informacione sipas të cilave veprimtaria e saj vlerësohet si kërcënim për sigurinë kombëtare, rendin dhe sigurinë publike.
Në një komunikim për emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN TV, Huduti mohoi çdo lidhje me Iranin dhe deklaroi se do të ndjekë rrugën ligjore për kundërshtimin e vendimit.
Jam nga Prizreni. Kam ardhur në këtë protestë sepse e konsideroj një të drejtë demokratike të çdo qytetari.
Jam rritur me vlera humane dhe fetare dhe më shqetëson situata e popullit në Shqipëri.
Një person që nuk brengoset për shoqërinë ku jeton, nuk mund të qëndrojë indiferent.
Do të ngre padi në Gjykatën Administrative në Shqipëri, sepse pretendimet ndaj meje janë të pasakta.
Pretendimet e tyre janë të pasakta. Do të ngrej lëndë në gjykatën administrative në Shqipëri. Non gratat duhet ti ketë Rama dhe Lamallari, ata duhet të jenë non-grata për tërë trojet shqiptare.
E kisha pritur me dëshirë non-gratën e Vucicit dhe jo të Ramovicit. Më ka bërë shumë padrejtësi. Nëse ka nevojë kam për të vajtur edhe në gjykatën e Strasburgut. Është e drejta ime të marr pjesë, siç kanë marrë shumë blogere.
Lidhur me akuzat për lidhje me Iranin, Huduti i hodhi poshtë kategorikisht ato.
Nuk kam asnjë lidhje me Iranin.
Falë organeve të Kosovës, ka dalë pafajësia ime. Kanë qenë pretendime për kryerjen e veprave terroriste dhe unë nuk jam terroriste. Gjykata e Kosovës po më përgatit dëmshpërblimin me gjashtë shifra.
Kush ka dëshirë ta vërtetojë, shkoni te Prokuroria kërkoni prokurorin dhe ju jep të gjithë dokumentacionin që jam e pastër.
Një popull, kur i bëhet padrejtësi, i bëhen lloj lloj shtypje, zullume, ai popull vetëdijësohet, ndërgjegjësohet dhe revoltohet, edhe rebelohet, është në gjendje me i rrëzu fuqitë më të mëdha.



