
Me nismën e shtetit grek dhe rumanisë, ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian u mblodhën në një takim informal online për të diskutuar mbi pritshmëritë lidhur me procesin e integrimit.
Në takim kanë marrë pjesë edhe Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Olta Xhaçka, dhe ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani.
Sekretari i ministrisë së Jashtme gjermane i pranishëm në takim, Miguel Berger, me anë të një statusi në median sociale Twitter, bëri me dije se Gjermania mbështet mbajtjen e konferencave të pranimit në qershor.
Kryediplomatët e BE mbështetën apelin e ministres Olta Xhaçka për nevojën e një qasje strategjike të Bashkimit Evropian ndaj integrimit të Ballkanit Perëndimor, duke ritheksuar edhe njëherë se vendi i Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Europian, falë punës së mirë të bërë për përmbushjen e objektivave për anëtarësim.
Ministrat e Jashtëm të BE janë shprehur gjithashtu se po bëhen përpjekjet maksimale për të zgjidhur ngërcin mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, për t’i hapur rrugë mbajtjes së Konferencës së Parë Ndërqeveritare për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut, brenda presidencës portugeze.



