
Presidenti i vendit, Ilir Meta pas takimit me pedagogë dhe drejtues shkencor, lidhur me situatën e krijuar pas tërmetit, ka përpiluar katër kërkesa kyçe për qeverinë.
Kreu i shtetit sqaron se në në fund të këtij takimi ata kërkojnë nga qeveria nisjen sa më parë të punës për azhornimin dhe kompletimin e një Harte të re Fizike të Riskut për Shqipërinë.
"Pas takimit me pedagogët dhe drejtuesit shkencorë, lidhur me situatën e krijuar pas tërmetit, i kam kërkuar sot Qeverisë:
- Fillimin e punës sa më parë, për azhornimin dhe kompletimin e një Harte të re Fizike të Riskut për Shqipërinë në të cilën do të përfshihen dhe saktësohen zonat me rrezik sizmik, si dhe të gjitha territoret e kërcënuara nga erozionet, përmbytjet, rrëshqitjet, zjarrjet, etj;
- Zbatimin e detyrueshëm në të gjithë territorin e vendit të sistemit të eurokodeve në ndërtimet civile dhe objektet e banimit, pa asnjë përjashtim;
- Plotësimin e legjislacionit të planifikimit urban me elementë të rinj sigurie, sipas procedurave bashkëkohore, në projektimin dhe ndërtimin e objekteve të ndërtimit;
- Në kuadër të rishikimit të Buxhetit 2020, për përballimin e pasojave tepër të rënda, duhet të planifikohet edhe mbështetja e domosdoshme financiare për institucionet përkatëse të kërkimit shkencor", shkruan Meta.



