Kryeministri Edi Rama doli në mesditë para mediave për të prezantuar strategjinë e re antikorrupsion përmes shërbimit e-Albania. Rama tha se shumica e dokumenteve që kërkohen në institucione të ndryshme të shtetit mund të merren online përmes shërbimit e-Albania, i cili do t’u japë fund radhëve dhe korrupsionit në zyrat e shtetit.
“Karta e shëndetit, vërtetimi i pensionit, konfirmimet për gjendjen e mjetit, kopje e lejes së drejtimit, vërtetimet për gjendjen e pasurisë etj. janë të gjitha dokumente që u nxinin jetën qytetarëve. Aty ku për shkak të shërbimit, këto dokumente kërkohen, i takon zyrës së shtetit që t’i sigurojë këto përmes kompjuterit. Ministri i Financave dhe Ekonomisë ka urdhëruar të gjitha institucionet evarësisë të mos kërkojnë dokumente si certifikata e regjistrimit me NIPT, vërtetimin për përgjegjësitë tatimore, vërtetin statusi, vërtetim të numrit të të punësuarve, etj.
Për të gjitha këto është shteti, zyra përkatëse që duhet të marrë masa që t’i garantojë në funksion të dhënies së shërbimit qytetarit përmes sistemit e-Albania. Kjo do të thotë 56 vjet pritje në harkun e një viti. 56 vjet konsumohen nga kompanitë dhe qytetarët për të marrë dokumente. Po ju jap një shembull. Vetëm vërtetime nga Drejtoria e Përgjithshm e Tatimeve janë 275 702 në një vit. Janë po kaq rrugëtime që niset dikush të marrë rrugëtimin, raste brenda të cilave ndodh rëndom që njerëzit detyrohen të japin bakshish për ta mbyllur këtë punë sa më shpejt”, tha ai.



