Diplomati Lisen Bashkurti thotë se procesi i çeljes së negociatave është sfidant në vetvete për Shqipërinë, por edhe optimistë.
Duke folur për MCN Live, teksa mbahej konferencën e parë ndërqeveritare Shqipëri- Bashkimi Europian, Bashkurti cilësoi si diçka me rëndësi që të respektohen parimet e negocimit dhe të ndiqet procedura si dhe të zbatohet substanca që rrjedh nga procesi.
Mendohet se negociatat do nisin me kapitullin 23 dhe 24. Kapitulli 23 ka të bëjë me drejtësinë, kapitulli 24 ka të bëjë me elementë të rendit dhe sigurisë.
Për tu përballur procesi i negocimit në mënyrë më të shpejtë, është me rëndësi të përgatisim një administratë efikase dhe kjo është një nga pikat më të dobëta.
Administrata jonë vuan nga tre sëmundje të mëdha, mungesa e aftësisë menaxheriale, mungesa e profesionalizmit dhe vakancat e shumta që rrjedhin nga militantizmi i vazhdueshëm.
Ndërkohë BE ka një administratë jashtëzakonisht të qëndrueshme dhe profesionale dhe kërkon nga Shqipëria një homologim të plotë.
Një nga parimet që miratohet sot në kuadrin negoiues është gjithëpërfshirja, për fakt se procesi i integrimit është europianizues dhe përfshin të gjithë aktorët e shoqërisë.
Sipas tij, është një proces gjithpërfshirës dhe asnjë nuk duhet të ndihet i përjashtuar nga procesi dhe se çdo përjashtim do të lërë një vrimë të zezë dhe do e vështirësojë procesin.
Bashkurti shtoi se procesi është bërë sfidant dhe se nëse do të ketë devijime, procesi mund të pezullohet dhe fillojë nga e para, ndaj nënvizoi se kërkon një angazhim shumë serioz nga klasa politike jo vetëm nga opozita dhe mazhoranca.
Ai deklaroi se qeveria duhet të plotësojë kuadrin e legjitimitetit, transparencën me të qenit e hapur lidhur me procesin e financimeve, tenderimeve dhe luftën kundër korrupsionit.
Si vlerë të tretë përmendi përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien e qeverisë, por edhe gjithëpërfshirjen.
Pjesët e tjera janë gjithashtu të rëndësishme që të angazhohen në këtë proces. Sot procesi fillon jashtëzakonisht i detajuar. Ne do të skanohemi çdo ditë dhe do të përballemi me vendimet e BE, politikat e reja, është një proces shumë dinamik.
Kërkon një korpus të tërë dhe duhet të hapet një bibliotekë e tërë. Ne na duhet një staf negociues tej mase profesional. Të gjithë duhet të hapin bibliotekën e BE, se tani kemi hyrë në fazën e zbatimit të procesit të negocimit.
Ne tani kemi një axhendë të përbashkët me Brukselin, por hendek të madh me kapacitetet ligjzbatuese. Axhenda e BE është shumë dinamike dhe nuk mund të kemi devijacion prej saj.
BE do të monitorojë së afërmi ecurinë e procesit, por edhe praktikën gjyqësore të BE, vendimet e komisionit. Deputetët tanë duhet të jenë europianë.
A mundemi ne me një parlament të tillë të përballemi me një sfidë kaq të madhe? Me këto kryetarë bashkie që çdo muaj shkojnë para prangave për korrupsion, kjo do të thotë se si ne me këto kategori njerëzish do të përballemi me pushtetet vendore të BE? Është e pamundur!
Të gjithë duhet të jenë europianist në kuptimin e formimit kulturor, profesional. Në të kundërt pranimi do të jetë i pamundur. Kemi një proces jashtëzakonisht sfidant, por është në dorën tonë.
Kjo punë nuk bëhet me militantë, por me vizion europian.



