Luhatjet e çmimit të abonesë për transportin publik në kryeqytet janë pasojë e një vendimmarrje të pashkruar të kompanive, që operojnë për këtë shërbim. Ndryshimi i çmimit në harkun kohor të një viti, që nis nga 500 lek, 600, 900, 1100, 1200 dhe 1600, nuk ka ardhur si marrëveshje mes Bashkisë dhe operatorëve, por kanë qenë këta të fundit që kanë vendosur për vlerën që do të kishte kartoni.
Edhe pse nga 1 tetori aboneja zyrtarisht duhej të shitej me 1600 lekë, sot ajo po tregtohet sërish me çmime të ndryshme. Një problematikë të tillë, e konfirmojë vetë qytetarët dhe pikat e licencuara për shpërndarjen e aboneve.
Por studentët janë e vetmja kategori që përfitojnë me përgjysmim abonenë, ndërkohë që për fëmijët mbi 6-vjec, prindërit janë të detyruara t’ua blejnë me kosto të plotë.
Aboneja ka krijuar vazhdimisht probleme për qytetarët, problematikë e cila arriti kulmin në qershor të këtij viti, kur Bashkia e Tiranës vendosi ta heqë nga qarkullimi, me qëllimin e vetëm, studimin e tregut të transportit publik. Lidhur me problematikën e shitjes së abonesë me çmim të ndryshëm, ashtu sikurse gjetjet e studimit për transportin publik në kryeqytet, interesimit të MCN, Bashkia e Tiranës tha se do t’i përgjigjet javën e ardhshme.



