
Marrëveshjen historike të arritur mes Greqisë dhe Maqedonisë, e ka përshëndetur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, i cili e ka krahasuar edhe me situatën e tyre me Kosovën. Vuçiç ka deklaruar se nëse Shkupin dhe Athinën i ndante vetëm problemi i emrit, Beogradin dhe Prishtinën i ndajnë probleme 100-fish më të rënda dhe këtë duhet ta kuptojnë njerëzit.
“Dëshirojmë të zgjidhim çështjen e Kosovës, por ajo s’mund të barazohet, me atë Maqedoni-Greqi sepse janë drastikisht të kundërta edhe për nga pesha, edhe për nga pasojat që bartin në vete. Politika e Serbisë dhe ajo që neve na sjell më së shumti të mira dhe shpresë është politika e stabilitetit rajonal, e kufijve të hapur, sepse në kuptimin ekonomik askujt s’i frikësohemi", tha ai.
Në intervistën e dhënë për mediat serbe, Vuçiç ka vënë theksin edhe te njohja e pavarësisë së Kosovës, duke thënë se tashmë atë nuk e njeh vetëm Gjermania, por edhe 22 vende të BE-së. Sipas tij, në zgjidhjen e konfliktit do të mbajë përgjegjësi edhe Gjermania.
“Nuk është vetëm Gjermania, por janë 22 nga 27 shtete anëtare të BE-së që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës në kufijtë e krahinës sonë jugore. Ndonjëherë këtë e harrojmë, sepse ndonjëherë dëshirojmë të harrojmë botën, e 20 minuta më vonë dëshirojmë të jemi pjesë e botës dhe shpesh po ikim nga realiteti. Besoj se Gjermania do të mbajë llogari, jo vetëm për dialogun, por edhe për arritjen e zgjidhjes së kompromisit. Se a do t’ia dalim kësaj, mbetet të shihet”.
Më tej, ai ka hedhur edhe dyshimet se ka shumë shtete përfshirë këtu edhe Shqipërinë që nuk dëshirojnë që të zgjidhin problemin Kosovë-Serbi. Ndërkohë që është shprehur i gatshëm që do të njohë Maqedoninë me emrin e saj të ri kushtetues, që është Maqedonia Veriore.



