Deputetja e PDIU-së, Mesila Doda, ka shkëmbyer replica me ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, Bernd Borchardt, gjatë mbledhjes së ambasadorëve me përfaqësuesit e partive të vogla. Doda tha se pjesëmarrja e opozitës në zgjedhje është e domosdoshme. Ajo e cilësoi kinezër qëndrimin e ambasadorit Borchardt lidhur me pjesëmarrjen e opozitës në zgjedhje dhe ndryshimet në Kodin Zgjedhor.
“Pata një bisedë jo shumë miqësore me ambasadorin e OSBE-së. Ai deklaroi se mospjesëmarrja e opozitës në zgjedhje nuk është një problem i madh dhe do të reflektohet në raport me vetëm një fjali, ndërsa ndryshimi i Kodit Zgjedhor do të përbënte një problem të madh.Kinezërira të tilla mendoj se nuk e ndihmojnë procesin dhe na përjashtojnë edhe ne të tjerëve nga ky proces. Ose të gjithë palët do të jenë kontrollues të sistemit, ose këta zotërinj që marrin rrogën këtu në Shqipëri do të duhet të kuptojnë shumë mirë se ky vend nuk mund të kthehet dot më diktaturë dhe të mos punojnë në vendosjen e autoritarizmit dhe diktaturës në këtë vend. Këtë nuk do ta lejojmë në asnjë mënyrë", tha Doda për mediat.



