Analisti Ben Andoni mendon se Serbia përmes politikës diplomatike e ka “peshkuar” palën e Kosovës. Duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV Andoni thotë se Kurti duhet të jetë më racional në dialog, pasi Beogradi po del si shteti me qasje europiane në sytë e ndërkombëtarëve. Sipas analistit si Kurti ashtu edhe Vuçiç po blejnë kohë, ndërsa shtoi se do të ketë një insistim të shtuar nga Lajçak dhe Borrell, që do të kërkojnë të mbyllin me një rezultat mandatet e tyre.
“Nuk është akuzë, por konstatim. Borrell thjesht konstaton dhe mundohet të tregojë se cila palë nuk ka një lloj predispozite. Për fat të keq në këtë segment kohor, është pala kosovare po tregon që ka një lloj qasje ndryshe. Në mendimin tim personal, ashtu siç janë zhvilluar ngjarjet, po tregon që z. Kurti do të fitojë kohë. E para e bën përmes retorikës së tij, lodrave të fjalës, dhe e dyta në gjetjen e çdo elementi që e mban dialogun të ngrirë. Kushti kryesor që ai ka pararendur është që të kemi njohje faktike të Kosovës. Ndërkohë që e dimë nga plani franko-gjerman dhe Marrëveshja e Ohirit, tashmë është shmangur ky element dhe vetkuptohet, por nuk është në mënyrën siç e kërkon z.Kurti.
Në këtë moment që po flasim jemi të ‘peshkuar’ nga politika diplomatike e Serbisë. Për sa i përket Asociacionit të komunave serbe, ky është një obligim që shteti kosovar e ka bërë në 2013. E ka hedhur poshtë Gjykata Kushtetuese, por ka dhënë edhe interpretime se si të jetë komuna, bashkësia e komunave serbe. Nga 2015 deri në 2023, pala kosovare pothuajse s’ka lëvizur fare. Në aspektin e brendshëm asnjë nga forcat kosovare nuk do që përballet direkt me Asociacionin, sepse janë të paqarta për atë që Asociacioni mund të paraqesë për të ardhmen e Kosovës. Faktori ndërkombëtar, sidomos faktori amerikan i ka dhënë gjithmonë variante....Unë besoj personalisht që Kosova duhet të ketë drafte për bashkësinë e komunave”, tha Andoni.
“Faktori europian po do të rivitalizojë marrëveshjen e Ohrit. Serbia po vazhdon po ble kohë dhe po del si shtet që ka qasje europiane. Më vjen keq ta them që z.Kurti duket që në dialog po qaset jo në mënyrën e duhur. Duhet të jetë më tepër racional. Ne e dimë fundin e kësaj. Asociacioni i komunave do bëhet, pala europiane ia ka bërë të qartë. Janë edhe SHBA-të brenda. Kurtit dhe Vuçiçit do t’u paraqitet ai varianti final, që të dy do ta firmosin. Por të dy po blejnë kohë. Do ketë insistim edhe në ditët në vazhdim sepse Lajçakut dhe Borrellit u duhet një rezultat, për ta pasur si aset, për të treguar që bënë diçka në mandatin e tyre”, shtoi ai.



