Ajo kishte planifikuar një udhëtim të shkurtër për të festuar ditëlindjen, por pushimi i ëndërruar u kthye në një përjetim të frikshëm lufte.
Sipërmarrësja shqiptare Evis Nure rrëfen në “Zgjohu me MCN” se si u gjend papritur mes bombardimeve në Izrael, vetëm pak orë pasi kishte mbërritur në destinacion.
Nga intervistat e gjata në aeroport, tek alarmet për sulme dhe strehimi në hapësirat nëntokësore të hotelit, udhëtimi që kishte rezervuar prej muajsh mori një tjetër dimension.
Udhëtimet e mia kanë qenë gjithmonë të veçanta dhe të largëta, por jo me qëllime lufte. Këtë herë kisha menduar të festoja ditëlindjen në Izrael, pasi e kisha rezervuar që tre muaj më parë. Por gjithçka ndodhi ditën që mbërrita.
Në aeroport më bënë një intervistë të gjatë, sepse isha e vetmja turiste mes vendasve. Pas katër orësh që kisha mbërritur, nisën sulmet. Na erdhën në dhomën e hotelit dhe na kërkuan të futeshim në vendin nëntokësor të hotelit.
U frikësuam në fillim, por pamë që gjithçka ishte e organizuar. Madje fëmijët dukeshin të qetë. Kisha planifikuar të qëndroja vetëm tre ditë, por fluturimet u anuluan disa herë, pastaj u larguam me rrugë tokësore drejt Egjiptit.
Në këtë intervistë, ajo tregon edhe vështirësitë për t’u larguar nga zona e konfliktit, anulimin e vazhdueshëm të fluturimeve, por edhe historinë e saj personale: rrugëtimin nga Tirana drejt jetës dhe karrierës në Zvicër, pasionin për udhëtimet dhe eksperiencat në më shumë se 50 vende të botës.



