Kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, thotë se Qeveria duhet të marrë përsipër përgjegjësinë e një analize dhe ekspertize, para legalizimit të kanabisit.
Duke folur për MCN TV, Jaka deklaroi se, është shprehur qysh në vitin 2010, se Shqipëria duhet tashmë të hartojë një ligj me ekspertizë për legalizimin e kanabisit mjekësor.
“Nëse qeveria shqiptare e shikon që i ka të gjithë instrumentet e duhur për menaxhimin territorial të mospërhapjes së fenomeneve negative, qeveria duhet të ketë përgjegjësinë që të mos krijohet një efekt negativ dhe kriminal i rrugës. Një qeveri e përgjegjshme duhet të ketë guximin për të implementuar reforma në ekonomi. Nuk është rruga e duhur komunikimi me publikun, pasi nuk mund të marrim një mendim eksperti dhe kompetent për të miratuar një projektligj dhe një ligj”, u shpreh Jaka.
Ai shtoi më tej se duhet pasur parasysh edhe mungesa e suksesit apo suksesi, në vendet që e kanë implementuar një ligj të tillë.
Sipas tij, ekspertiza duhet të nisë nga vendet e Bashkimit Europian, aty ku dhe është legalizuar tashmë kanabisi mjekësor.
Lidhur me pjesën e Këshillimit Kombëtar, Jaka tha se është e njëjta strategji si ajo e përdorur në 30 vite, por se qytetarët nuk mund të depërtojnë në hartimin e ligjeve.
Jaka deklaroi po ashtu se nuk ka asnjë lloj iniciative të grupeve të sipërmarrësve shqiptarë për t’u përgatitur për investime të tilla, pasi nënvizoi se ekspertiza për raste të tilla është shumë e specifikuar. Më tej tha se nëse një ekspertizë nuk bëhet në mënyrën e duhur, shkohet drejt dështimit.
“Nuk besoj se klasa politike do të ketë një dakordësi për një ligj të tillë i cili i ka dyshimet dhe paragjykimet e veta. Nëse ka një ligj të tillë vendet e BE, nuk e kanë monopol, licencat janë të kufizuara, pasi hapësirat janë të kufizuara. Nëse qytetarët shqiptarë e mendojnë në një formë të tillë e kanë komplet gabim”, tha ndër të tjera kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë.



