Kryeministri Edi Rama ka prezantuar këtë të mërkurë nga Universiteti Bujqësor i Tiranës, skemën kombëtare për të ardhmen e prodhimit vendas, ku ishte e pranishme ministrja e bujqësisë dhe pedagogë.
Rama tha se ky projekt nuk po bëhet që të ndalet tani, por që të përmirësohet në vazhdim. Ai gjithashtu propozoi që drejtuesit e strukturave në rrethe që ndjekin prodhimin bujqësor, të bëjnë kurse nate në Universitetin Bujqësor.
Është kënaqësi çdo vizitë që bëj këtu, kur kam ardhur për herë të dytë rektori më tha je i pari kryeministër që vjen në këtë universitet. Çdo herë është kënaqësi sepse ka diçka të re që ndodh. Jemi këtu për një program që është eksperienca e parë në 40 vjet. Me këtë program hyjmë në një fazë të re, nuk është një nismë që bëhet tani dhe ndalet tani, por është diçka që duam të mbetet në vazhdimësi dhe të përmirësohet e të plotësohet me komponent të tjerë.
Një nga komponentët që duhet të plotësohet është që gjithë drejtuesit e strukturës tonë të ndjekjes së prodhimit bujqësor, duhet të vijnë këtu të bëjnë kurse natën që të shtrijmë kapilaritetin e rrugës së dijes. Këtu dija bën diferencën ul shpenzimet dhe dija e kombinuar me teknologji bën suksese të hatashme. Kemi parë fermerë që dalin në rrugë dhe hedhin qershitë dhe disa të tjerë bëjnë 5-fish fitime. Si ka mundësi që ndodh kjo kush e bën diferencën, pra e bën dija. Të dyja palët bëjnë hyzmetin dhe shpenzojnë dhe njëra palë fiton, tjetra falimenton. Kjo sepse njëra palë nuk bën detyrat e shtëpisë në raport me përgatitjen dhe planin e punës dhe këto vijnë nga dija.



