
Skerdi Faria, mjek dhe administrator i një klinike estetike tha në studion e MCN Informacion se në shumë raste me informacionet që qarkullojnë në rrjetet sociale njerëzit nuk arrijnë të bëjnë dallimin mes të vërtetës dhe të pavërtetës.
Sipas mjeku Faria, kur njerëzit duan të zgjedhin një klinikë estetike pikë së pari ata duhet të shohin historikun e saj, standardin që ofrojnë në shërbime si dhe vlerësimet e njerëzve që i kanë provuar këto shërbime.
Janë disa informacione që sot me rrjetet sociale, me uebin njerëzit nuk arrijnë të bëjnë dallimin mes të vërtetës dhe të pavërtetës.
Unë do them diçka, çdo moshë ka bukurinë e saj. Duhet të pranojmë veten siç jemi, duhet të rritemi të shëndetshëm. Bukuria vjen nga shëndeti, nëse bëjmë palestër, nëse ushqehemi mirë. Lëkura jonë reflekton atë që ne kemi brenda, si funksionin zemra, mëlçia, truri. Duhet të kurojmë në radhë të parë atë që kemi brenda.
Është një princip në mjekësi, të mos e dëmtosh pacientët, i njëjti është dhe sa i përket trajtimeve estetike. Lëkura është organi më i madh dhe e mbron njeriun, një lëkurë që keqtrajtohet, që shfaqet ndaj rrezeve të diellit, që shfaqet ndaj trajtimeve për nxirjen e lëkurës dhe abuzohet bën që të dukemi dhe në ato rastet kur jemi të shëndetshëm të dukemi më të vjetër, apo të lënë pas dore.
Dikush që ka një historik, që i ka mbijetuar konkurrencës, ofron shërbime të standardeve të larta e kupton aty në radhë të parë se çfarë standardi ka. Të gjithë ne që ofrojmë këto shërbime mburrim veten. Njerëzit duhet të shohin historikun.
Njerëzit janë të prirur t’i besojnë dikujt që e ka provuar vetë, kjo është e rëndësishme por e pamjaftueshme.
Sipas mjekut trajtimet janë të kushtueshme nëse i krahasojmë me rrogën mesatare në Shqipëri.
Më tej Faria thotë se trajtimet estetike i bëjnë ata njerëz me të ardhura të larta, ose ata me të ardhura mesatare por që i japin fokus kësaj gjëje.
Janë të kushtueshme nëse do të marrin rrogën mesatare të Shqipërisë, por dhe për rrogën mesatare të Italisë, Gjermanisë, Zvicrën. Një trajtim që në Shqipëri kushton 50 euro, në itali kushton 100-150 euro.
Trajtimet estetike i bëjnë ata njerëz me të ardhura të larta, ose ata me të ardhura mesatare por që i japin fokus kësaj gjëje. Është stil jetese. Është mënyrë e të menduarit, një mënyrë e të menduarit pozitive. Varet nga dy faktorë, sa ta mban xhepi dhe sa ta mban mendja.
Pse duhet të bëhemi të gjithë njësoj? Pse duhet të shohim trendin? Secili duhet të ruajë individualitetin e vet.
Lifting, tërheqja e lëkurës, në moshën 50 vjeç del bukur dhe në moshën 70 vjeçare kjo grua do të ketë rezultat më të mirë sesa po mos ta kishte bërë, por është ndërhyrje kirurgjikale madhore jo të gjithë dinë ta bëjnë.



