Sms në 02:00 të mëngjesit, mbledhje në mes të natës, telefonat e ministrave që bien pa pushim. Në Elize nuk ka qetësi qëkur Macron është bërë president. Ai që fle i fundit duket se është pikërisht ai vetë.
Zonja e Parë është e shqetësuar dhe sipas të përjavshmes “L'Express”, ajo kërkon që Macron të kujdeset më shumë për veten. Sipas të përjavshmes franceze, darkat e tij me politikanët e tjerë mbarojnë gjithmonë pas mesnate dhe pasi kthehet në shtëpi, ai lexon dhe përgatit fjalimet për ditën tjetër.
Një rast i tillë është ai i javës së shkuar, menjëherë pas samitit italo-francez në Lion, kur Macron e ftoi të gjithë delegacionin për darkë në një restorant në Fourviere, ku ata qëndruan deri në 01:00 pas mesnate.
Pas darkës, Macron qëndroi me një prej bashkëpunëtorëve, i cili thotë se është larguar nga restoranti në orën 02:30.



