Universiteti i Tiranës, po bëhet gati për festën e 65 vjetorit. Fatura e shpenzimeve për 65 vjetorin e UT është 53 milion lekë. Ndonëse data e hapjes është 30 maj, Universiteti i Tiranës parashikon të realizoj tre aktivitete që do të shtrihen nga muaji tetor deri në dhjetor.
Vendi i zgjedhur nga UT për realizimin e aktivitetit të parë është stadiumi Arena.
“Operatori ekonomik bën tratativat dhe marrëveshjen për përdorimin e stadiumit Arena dhe pagesën e qirase së duhur për organizimin e ketij eventi -thuhet në dokumentat e tenderit.
Skena duhet të jetë e dukshme 360° për të gjithë pjesëmarrësit.
Mesa duket UT ka menduar të reklamojë punën e saj ndër vite përmes realizimit të një dokumentari, që do të shfaqet gjatë aktivitetit.
Eventi duhet të xhirohet jo vetëm me kamera, por edhe me dron.
Sipas porosisë së autoritetit kontraktor, aktiviteti duhet të ketë dhe një instalacion 3D që shërben si hyrje për eventin.
Ky aktivitet do të pasohet nga eventi: Kupa Sportive për të cilin UT ka porositur 3 kupa dhe 70 medalje.
Kupat duhet te jene realizim 3D te dedikuar vetem per kete event. Punime te derdhura ne bakër –përcaktohet në tender.
Edhe për këtë aktivitet UT do të paguajë fushën me qira për tre ditë.
Eventi tjetër është ai Gala: Histori, Krenari, Feste 65 Vjet UT.
Për këtë Universiteti i Tiranës, ka kërkuar një sallë me kapacitet 200 persona, minimumi 4 yje, e cila sipas porositësit duhet të jetë brenda unazës së vogël të Tiranës .
Sisteme ndriçimi, robote drita laser për të krijuar një atmosfere sa më festive gjatë eventit.
Për të gjithë të ftuarit duhet të organizohet një pritje me një pije mirëseardhje, më tej aktiviteti do vijojë me një pritje buffe me ushqim dhe pije –thuhet në dokumentat e tenderit.
Eventi sipas UT do të ketë dhe muzikë live.
Pak ditë më parë u shpall edhe subjekti fitues i këtij tenderi. Ajo që bie në sy në këtë tender është gara fiktive. Krahas subjektit fitues, në garë ka marrë pjesë edhe një tjetër subjekt, i cili ka dhënë një ofertë sa trefishi i fondit limit, të vënë në dispozicion për organizmin e 65 –vjetorit nga Universiteti i Tiranës. Vlera e kontratës përfundimtare pas tenderit, është sa 97 % e fondit limit.



