
Një ngjarje e rëndë, e cila fatmirësisht nuk ka sjellë pasoja, raportohet të ketë ndodhur në Elbasan, ku një person ka tentuar të qëllojë me armë zjarri një shtetas në një lokal.
Sipas të dhënave paraprake, autori i dyshuar Poli Boriçi është larguar nga kafja dhe më pas është afruar pranë 50-vjeçarit Ermir Këndezi. Ai ka nxjerrë një armë zjarri dhe ia ka drejtuar në drejtim të tij, në një tentativë të dyshuar për ta qëlluar.
Reagimi i menjëhershëm i shënjestrës, i shoqëruar edhe me ngecjen e armës së zjarrit, ka bërë që atentati të dështojë dhe të mos ketë persona të plagosur.
Pas ngjarjes, autori është larguar nga vendi i saj, ndërsa policia është vënë në ndjekje të tij dhe e ka kapur pak më vonë. Zyrtarisht policia njoftoi se,
Pas marrjes së njoftimit, rreth orës 13:00, se në ambientet e jashtme të një lokali, në lagjen “28 Nëntori”, Elbasan, një shtetas kishte tentuar të vriste me armë zjarri shtetasin Ermir Këndezi, 50 vjeç, shërbimet e Policisë organizuan punën për identifikimin dhe kapjen e autorit.
Falë reagimit të menjëhershëm të Policisë dhe veprimeve profesionale të kryera në kuadër të operacionit “Reagimi”, u bë i mundur identifikimi dhe kapja e autorit të dyshuar, shtetasit Poli Boriçi, 52 vjeç.
Njëkohësisht, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, armën e zjarrit pistoletë me të cilën autori tentoi të vriste 50-vjeçarin. Nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore dhe procedurale për sqarimin e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të rastit.



